Ndotja e ajrit në Kinë, alarm i kuq në shumë qytete

24/12/2015 00:00

Smogu i rrezikshëm që ka mbuluar verilindjen e Kinës solli më shumë alarme të kuqe në zonat urbane, ndërsa autoritetet këshilluan banorët në 10 qytete që të mos dalin nga shtëpitë.

Kjo situatë pason paralajmërimin e javës së shkuar se shumë zona të Kinës do të goditeshin rëndë nga ndotja e ajrit. Fundjavën e shkuar, kryeqyteti Pekin regjistroi alarmin e dytë të kuq në historinë e tij, ndërsa e njëjta shkallë ndotje është arritur edhe në portin industrial Tianjin.

Pas shpalljes së alarmit të kuq për ndotjen, autoritetet këshillojnë njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi, shkollat u mbyllen dhe u kufizua përdorimi i automjeteve. Në lajmërimin e Ministrisë së Ambinetit shkruhet se alarmi i kuq është shpallur edhe në qytetet Dezxhu, Handan, Hengshiu e të tjera.

Ata janë mes 30 qyteteve përfshirë Pekinin që po përjetojnë ndotje ekstreme, ndërsa 20 qytete të tjera janë në listën e atyre që kanë ndotje të rëndë. Pamjet e njerëzve me maska dhe qyteteve të mbuluara nga smogu janë bërë tashmë diçka e zakonshme në Kinë, ku njerëzit akuzojnë gjithnjë e më shumë autoritetet se nuk po bëjnë asgjë për të përmirësuar cilësinë e ajrit të vend.

Qeveria kineze, nga ana tjetër, vazhdon të nxjerrë pa fund këshilla për të ruajtur shëndetin, ndërsa premton se do të marrë masa për të pakësuar ndotjen.

Top Channel