Krishtlindja, mesazhe urimi nga politikanët në Kosovë

24/12/2015 00:00

Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga uroi besimtarët katolikë me rastin e festës së Krishtlindjes.

“Në këtë ditë të shenjtë, me respektin më të thellë ju përcjell urimet më të përzemërta juve dhe të gjithë qytetarëve katolike në Republikën e Kosovës. Uroj që këtë festë, që është simbol i paqes, solidaritetit, dashurisë dhe mirëkuptimit midis njerëzve, ta kaloni me gëzime, begati dhe harmoni me të dashurit tuaj. Në këtë Krishtlindje, urimet më të mira dëshiroj t’ua përcjell edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë në vendin tonë”, thuhet në urimin e dërguar për ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergji, dhe të gjithë besimtarët katolikë.

Edhe kryeministri kosovar, Isa Mustafa përcolli urimet e tij, duke theksuar se Krishtlindja përfaqëson paqen, mirëkuptimin, mirësinë, mëshirën, shpresën dhe zemërgjerësinë.

“Festa e Krishtlindjes përcjell te njerëzit e vullnetit të mirë, forcën e besimit, vlerat e humanizmit, si dhe forcon virtytet e besimtarëve anekënd botës”, ka thënë Mustafa në mesazhin e tij. Ai tha gjithashtu se, Krishtlindja sivjet ka një simbolikë të veçantë për popullin e Kosovës, pasi shënon miratimin e Papa Françeskut për t’i hapur rrugë shenjtërimit të Nënë Terezës.

Mesazhe urimi me rastin e festës përcollën edhe subjektet opozitare në vend, si AAK dhe Nisma.

Top Channel