Kryeministri indian, vizitë surprizë në Pakistanin fqinj

25/12/2015 00:00

Kryeministri indian, Narendra Modi po zhvillon një vizitë surprizë në Pakistan, gjatë së cilës ai pritet të takohet me homologun e tij pakistanez, Nawaz Sharif.

Modi mësohet të ketë qenë në kthim e sipër në Indi nga Afganistani, kur u ndal papritur në qytetin lindor të Lahores. Vizita koincidon edhe me ditëlindjen e kryeministrit pakistancez, Sharif.

Kjo e Modit është vizita e parë e një kryeministri indian në Pakistan që prej vitit 2004. Tensionet mes dy vendeve fqinje, të armatosura edhe me armë bërthamore, kanë qenë tepër të larta gjatë viteve të fundit, por marrëdhëniet duken se po fillojnë të ngrohen disi.

Dy krerët e shteteve janë takuar për shumë pak kohë edhe në Paris, gjatë muajit të kaluar, teksa merrnin pjesë në konferencën për ndryshimet klimatike “COP21”.

Dy vendet në fjalë, që kanë fituar pavarësinë nga Britania që prej vitit 1947, kanë zhvilluar tri luftëra deri më sot, dy prej të cilave për zonën e Kashmirit, që ka qenë një “pikë vlimi” prej mbi 6 vite, pasi pretendohet territorialisht nga të dyja vendet.

Ndërkohë, një armëpushim i rënë dakord në vitin 2003 është ende në fuqi, pavarësisht se fqinjët akuzojnë shpeshherë njëri-tjetrin për shkeljen e tij.

Top Channel