Krishtlindja, ipeshkvi i Kosovës kritikon politikanët e Prishtinës

25/12/2015 00:00

Besimtarët e fesë katolike në Kosovë kremtuan meshën e Krishtlindjes në mesnatë.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen “Nënë Tereza” të Prishtinës, bëri thirrje për bashkim, dialog dhe rezistencë kundër së keqes.

Ai tha se, për gjendjen e krijuar në vend ndihet bashkëfajtore edhe Ipeshkvia e Kosovës, – siç tha ai, – në nivelin e përgjegjësisë qytetare.

“Nuk mund të heshtim me gjendjen në vend, kur shohim sesi keqpërdoret liria, duke u marrë vetëm si privilegj i disave dhe jo si e mirë e përgjithshme”, tha Dodë Gjergji.

Ai nuk la pa kritikuar edhe partitë politike, duke thënë se mënyrat sesi ato veprojnë kanë kaluar format e shprehjes së demokracisë.

Në lidhje me shenjtërimin e ardhshëm të Nënë Terezës, vitin e ardhshëm, ipeshkvi i Kosovës tha se, viti i ardhshëm është vit i mëshirës dhe hirit për të gjithë botën, pasi te Zoti do të mund të lutemi edhe shqip.

“Me shpalljen shenjtore të Nënë Terezës, viti ardhshëm – që është vit i mëshirës, – do të jetë vit hiri për të gjithë botën, jo vetëm për ne, pasi te Zoti mund të lutemi edhe shqip”, tha imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës.

Sipas tij, po t’i ngjajmë vetëm pak Nënë Terezës, atëherë do të kishte më shumë barazi dhe situata do të ishte ndryshe.

Top Channel