Papa apelon për paqe dhe pajtim

25/12/2015 12:40

Papa Françesku ka bërë apel për paqe dhe pajtim nga bazilika e Shën Pjetrit, në Romë, në mesazhin e tij të dytë të Krishtlindjeve, bekimin tradicional “urbi et orbi”, drejtuar botës.

Ati i Shenjtë shprehu mbështetjen për rezolutat e paqes së Kombeve të Bashkuara në Siri dhe Libi. Papa dënoi gjithashtu “aktet brutale të terrorizmit” në Francë, Liban, Egjipt, Tunizi dhe Mali.

Ndërkohë, predikimi i Papës Françesk në meshën e përvitshme të Krishtlindjeve kishte në krah të kremtimit, edhe një paralajmërim. Bota po helmohet nga materializmi, iu kujtoi Ati i Shenjtë 1,2 miliardë katolikëve të globit.

“Jetojmë në një shoqëri të pushtuar nga konsumizmi e hedonizmi, nga pasuria dhe ekstravaganca. Çdo gjë duhet të ketë masë”, ishin fjalët e Shenjtërisë së Tij, që shton se në këtë situatë lipset më shumë kthjelltësi.

“Krishtlindjet janë koha për të zbuluar edhe një herë se cilët jemi”, tha Papa.

Top Channel