Ndotja e ajrit në Maqedoni, Ministria e Ambjentit propozon plan masash

25/12/2015 17:15

Për shkak të ndotjes së lartë të ajrit dhe paralajmërimeve për përkeqësimin e gjendjes në 10 ditët e ardhshme, Ministria e Ambientit në Shkup i ka propozuar një sërë masash qeverisë dhe qytetarëve për të shmangur rreziqet nga kjo situatë.

Me rekomandim të kësaj ministrie, nga dita e hënë pritet të ndërpritet procesi mësimor në shkollat e mesme dhe ato fillore në gjithë vendin.

Po ashtu, kërkohet që të reduktohet puna e kapaciteteve industriale, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatëzëna të lirohen nga puna, kurse qytetarët të shfrytëzojnë transportin publik dhe të mos përdorin automjetet private pa nevojë.

“Shpresojmë që këto masa do të japin rezultate pasi nga Enti Hidro-meteorologjik kemi informacione se ditëve në vijim situata do të jetë edhe më e rëndë se tani”, deklaroi Nurah Izairi, ministër i Mjedisit.

Nga ana tjetër, aktivistët për mbrojtjen e ambientit jetësor akuzojnë pushtetin se nuk ka bërë asgjë për të ulur nivelin e lartë të ndotjes.

Për të shprehur revoltën e tyre për situatën e rëndë, rreth 20 organizata joqeveritare do të mbajnë një protestë ditën e hënë para godinës së qeverisë në Shkup.

“Qeveria injoron në mënyrë të vazhdueshme këtë problem duke kërkuar të bëjë ca hapa kozmetike, që janë të pamjaftueshëm për daljen nga kjo situatë”, deklaroi Ngadhnjim Mehmeti, aktivist i OJQ-së, “Eco Guerrilla”.

Situata më e rëndë vijon të paraqitet në Tetovë dhe Shkup, ku prania e grimcave të dëmshme në ajër është për disa herë më e lartë se limiti i lejuar.

Ndërkohë, një ditë më parë ndotësi më i madh i ambientit në Tetovë, kombinati metalurgjik “Jugohrom” njoftoi se do të ndërpresë punën përkohësisht nga 1 janari deri më 1 mars.

Top Channel