ISIS detyron Putinin të bëjë aleancë me armiqtë e vjetër

25/12/2015 00:00

Me rritjen e numrit të luftëtarëve të ISIS-it në Afganistan, Presidenti rus Vladimir Putin kërkon mbështetjen e një armiku të vjetër, talebanëve. Sipas zëdhënëses së Ministrisë se Jashtme ruse, Maria Zakharova kontakti mes Moskës dhe talebanëve në Afganistan përfshin vetëm shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës lidhur me luftën kundër ISIS-it.

Por, pyetja që lind është përse po shkel Putini në një terren të rrezikshëm duke bashkëpunuar me talebanët. Ndoshta po udhëhiqet nga parimi se “armiku i armikut tim është miku im”.
 
Një komandant amerikan tha muajin e kaluar për Kongresin se ISIS kishte forcuar pozitat në Afganistan, ku besohet se ka rreth 3 mijë luftëtarë. Putin prej kohësh është i shqetësuar për mijëra xhihadistë nga rajoni i Kaukazisë dhe ish-republikat sovjetike që shkojnë të luftojnë në Siri.
 
“Lidhjet mes ISIS dhe rebelëve në Kaukazin verior dhe fakti se ka njerëz nga Kaukazi që luftojnë në Siri, nënkupton se Rusia e konsideron ISIS-in dhe grupe të tjera islamike si një kërcënim të madh, më shumë nga ç’mund të konsiderojë talebanët”, deklaroi Olga Oliker nga qendra për studimet strategjike dhe ndërkombëtare në Uashington, sipas së cilës rusët mendojnë se talebanët janë tani një e keqe më e vogël.
 
Por, bashkëpunimi me talebanët përfaqëson rrezik për Putinin, i cili po forcon edhe më shumë qasjen e tij agresive, si në rastin e Sirisë apo Ukrainës.

Top Channel