Tahiri: Serbia do ta njohë Kosovën

25/12/2015 00:00

“Kosova do të jetë anëtare e OKB-së, ndërsa Serbia e izoluar nga Perëndimi”. Kështu deklaroi ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, se Serbia do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Tahiri theksoi se përderisa Kosova dhe të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë zgjedhur qartë drejtimin properëndimor dhe integrimet euroatlantike, Serbia ka mbetur në udhëkryq mes Perëndimit dhe Rusisë. Këto dilema diplomatike të Serbisë, siç u shpreh ajo, do ta lënë Serbinë të izoluar nga Perëndimi.

“Kosova, edhe pse një shtet i ri, ka orientimet e saj, si i gjithë kombi shqiptar, që janë tradicionalisht properëndimore. Kosova është pozicionuar qartë në anën e Aleancës Veri-Atlantike dhe politika e jashtme e Kosovës mbetet e qartë në përkrahje të politikave perëndimore”, deklaroi Tahiri, e cila shtoi se Serbia e di që do ta njohë pavarësinë e Kosovës para anëtarësimit në BE, sepse është e kushtëzuar me Kapitullin 35 nga unioni.

“Kapitulli 35 kërkon qartë nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, respektimin e marrëveshjeve të Brukselit, zhbërjen e strukturave paralele të saj në Kosovë dhe në fund të këtij procesi Serbia, për të dëshmuar fqinjësinë e mirë do ta njohë pavarësinë e Kosovës, nëse vërtet aspiron anëtarësimin e vet në BE”, përfundoi Tahiri.

Top Channel