Kampionati i NBA, Cleveland i dorëzohet Golden State

26/12/2015 00:00

Edhe Cleveland dorëzohet përballë forcës së Golden State në kampionatin e NBA. Në mbrëmjen e Kristhlindjeve, skuadra kampione në fuqi, iu imponua asaj nga Ohio në Oracle Arena duke e mposhtur me rezultatin 89-83.

Këtë radhë protagonist për Warriors u bë Draymond Green  që e mbylli sfidën me 22 pikë 15 topa në tabelë dhe 7 asist. Me këtë fitore, Golden State që është në krye të konferencës së Perëndimit, e çon bilancin në 28 fitore dhe 1 humbje. Ndërsa në Konferencën e Lindjes vazhdon të kryesojë Cleveland me 19 fitore dhe 8 humbje.

Houston Rockets fiton derbin teksan me San Antonio Spurs me rezultatin 88-84. Në Toyota Center, skuadra e Houston ishte superiore ndaj San Antonios për pjesën më të madhe të kohës dhe e meritoi këtë sukses që ishte i 16 në këtë sezon.

James Harden me 20 pikë dhe 9 asist dhe Hauard me 12 topa në tabelë ishin ata që udhëhoqën Houston drejt kësaj fitoreje, ndërsa në krahun tjetër spikatën Leonard me 20 pikë e 4 asist dhe Tim Duncan me 11 topa në tabelë, por këto shifra shërbyen vetëm për të pasuruar statistikat e tyre personale.

Dita e Krishtlindjeve rezervoi një tjetër derbi në NBA, atë kalifornian mes Los Angeles Clippers dhe Lakers. E fituar në këtë sfidë doli pikërisht skuadra e Clippers me rezultatin 94-84. Clippers e dominoi ndeshjen në 3 periodat e para duke krijuar një diferencë prej 28 pikësh. Lakers u zgjua vetëm në 12 minutat e fundit, por Kobe Bryant e lojtarët e tjerë nuk bënë gjë tjetër veccse sa e shkurtuan këtë diferencë të krijuar nga rivalët e tyre të Clippers, në vetëm 10 pikë. Në ndeshjet e tjera të NBA, Miami mundi Nju Orleans 94-88, ndërsa Chicago fitoi me Oklahomën 105-96

Top Channel