Optimizëm te Red Bull, me motor kompetitiv në 2017

26/12/2015 00:00

Te Red Bull të gjithë janë të bindur se në vitin 2017 do të kenë në dispozicion një motor kompetitiv. Ai që e ka shfaqur këtë optimizëm është pikërsisht shefi i Kësaj skuadre, Kristian Horner.

‘Është e vështirë për mua të bëj një deklaratë të tillë në këtë moment, pasi nuk kemi bërë të ditur asnjë plan për këtë cështje, por besoj se do të jemi në pozita më të mira. Çdo opsion mbetet i hapur dhe shumë gjëra do të ndryshojnë’, tha Horner.

Red Bull gjatë këtij viti kërcënoi me largim nga Formula 1 nëse nuk do të gjente një motor konkurues për makinat e saj. Në fund ajo konfirmoi qëndrimin në këtë kampionat dhe në sezonin e ardhshëm do të garojë me motorët Tag Heuer që janë pjesë e Renault.

Ndërkaq, në javët e fundit, FIA hodhi idenë që në formula 1 të nisej përdorimi i motorëve nga skuadra të pavarura, ide kjo që u hodh poshtë nga skuadrat e mëdha të Formula 1.

Horner shprehu besimin se të gjitha përpjekjet do të shpërblehen dhe do të krijohen shanse të reja për ato skuadra që janë në pozitat e Red Bull. Sipas tij viti 2017 do të jetë ai që do të përcaktojë një fillim të ri në Formula 1 me ndryshimet në rregullore ku janë të parashikuara edhe ato për shasinë e makinës.

Top Channel