Qeveria kineze dëbon nga vendi gazetaren franceze

26/12/2015 18:40

Autoritetet në Kinë kanë dëbuar nga vendi një gazetare franceze për shkak të një artikulli që ajo kishte shkruar e ku ishte shprehur kritike ndaj sjelljes së qeverisë kineze ndaj myslimanëve ujgurë në provincën Xinjiang.

Pekini zyrtar konfirmoi lajmin dhe deklaroi se nuk do ta rinovojë lejen e profesionit për Ursula Gauthier, gazetare e revistës informative franceze “L’Obs”.

Qeveria kineze deklaroi gjithashtu se, “një artikull i shkruar prej francezes mbi trazirat në Xinjiang mbështet terrorizmin dhe aktet mizore që kanë marrë jetën e njerëzve”.

Nga ana e saj, zonja Gauthier i cilësoi deklaratat si “absurde” dhe deklaroi se Pekini po përpiqet të dekurajojë qëndrimin e gazetarëve të huaj në vend.

Nëse karta e gazetarit e zonjës Gauthier nuk rinovohet, atëherë ajo nuk mund të aplikojë për një vizë të re dhe do t’i duhet të lërë Kinën brenda 31 dhjetorit.

Ajo i bie të jetë e para gazetare e huaj që dënohet nga vendi aziatik, që nga rasti i korrespondentes së rrjetit Al Jazeera, Melissa Chan, në vitin 2012.

Autoritetet kineze fajësojnë për trazirat afatëgjata në rajonin autonom perëndimor Xinjiang separatistët islamikë të tij, shumica e të cilëve sipas qeverisë kanë lidhje me jashtë.

Por ujgurët e këtij rajoni, shumica e të cilëve janë myslimanë, deklarojnë se represioni i Pekinit për shkak të besimit dhe zakoneve të tyre kulturore është shkaktari i vërtetë i dhunës.

Top Channel