Rrezik sulmesh terroriste në kryeqytetet e BE; alarmi nga policia austriake

26/12/2015 20:10

Një alarm për atentate në kryeqytetet e vendeve të BE-së është lëshuar nga policia austriake, që ka njoftuar rritjen e masave parandaluese të sigurisë.

Bëhet fjalë për sulme terroriste që mund të verifikohen në periudhën Krishtlindje-Viti i Ri, përmes përdorimit të eksplozivit ose armëve të zjarrit.

Megjithatë, autoritetet lokale nuk e konsiderojnë rrezikun aq të lartë sa të anulojnë eventet e programuara për festën e fundvitit.

Në njoftimin zyrtar të saj policia austriake ka njoftuar se informacioni i ka ardhur në ditët para Krishtlindjeve nga një shërbim sekret “mik”, të cilin nuk e ka identifikuar.

Autoritetet vjeneze kanë marrë emra për persona që konsiderohen agresorë potencialë, por shqyrtimi i listës dhe hetime të tjera nuk kanë çuar deri më tani në ndonjë rezultat konkret.

Zëdhënësi i policisë austriake, Christoph Poelzl ka saktësuar se për momentin nuk ka një kërcënim konkret ndaj një vendi specifik dhe në një orar të caktuar.

Megjithatë, forcat lokale të rendit kanë intensifikuar mbikëqyrjen e vendeve ku parashikohet të ketë grupime njerëzish, përfshirë pikat e këmbimit të rrjetit të transportit.

Top Channel