Teksas, 11 të vdekur nga tornadot në periferitë e Dallasit

27/12/2015 00:00

Viktimave të shumtë nga tornadot në Amerikë u janë shtuar edhe 11 persona të tjerë të shënuar gjatë mesnatës së të shtunës në Teksas, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve në 29 brenda një jave të mbushur me stuhi të shumta dhe të fuqishme në disa shtete të SHBA-ve.

Prej tyre, 5 persona raportohet të kenë vdekur kur makinat e tyre janë hedhur nga një autostradë në Garland, pranë Dallasit. Ndërkohë që 6 trupa të tjerë të pajetë janë gjetur në rajonet përreth.

Zyrtarët thonë se Teksasi dhe Oklahoma mund të kalojnë një të ftohtë historik, që pritet të sjellë të paktën 41 cm dëborë. Stuhitë në rajonet e jugut të Amerikës kanë qenë jashtëzakonisht të fuqishme për këtë periudhë të vitit.

Sipas raportimeve të para nga Teksasi, thuhet se janë shkatërruar kisha, disa makina janë copëtuar, ndërsa pemët janë rrëzuar përreth një sipërfaqeje të madhe.

Policia e Garlandit njoftoi se “erërat nga tornadoja që kaloi përmes vendit” orët e vona të së shtunës ishin shkak për dhjetëra aksidente me makina. Të paktën 5 persona u raportuan të vdekur brenda automjeteve të tyre. Shumë prej makinave u “gllabëruan” nga stuhitë dhe u gjendën më pas rreth 24 km në verilindje të Dallasit.

E teksa policia u bën thirrje banorëve lokalë të qëndrojnë nëpër shtëpi dhe të mos dalin rrugëve, tashmë oficerët kanë nisur të përcaktojnë nëse ka të tjerë viktima në vendet e prekura prej stuhisë.

Kushtet ekstreme të motit në SHBA përpara Krishtlindjes nuk janë të panjohura për banorët, por meteorologët thonë se temperaturat e larta në disa zona, si kurrë më parë në këtë stinë, kanë kontribuuar në ngarkesat edhe më të mëdha të stuhive.

Një vit më parë, një tornado goditi juglindjen e Mississippit, duke vrarë 5 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Një stuhi në ditën e Lindjes së Krishtit në vitin 2012, që u pasua nga disa tornado, la të shkatërruara dhjetëra shtëpi nga Teksasi deri në Alabama.

Top Channel