Amerika Latine preket nga përmbytjet më të mëdha në 50 vite

27/12/2015 00:00

Zona të tëra në Paraguaj, Argjentinë, Uruguaj dhe Brazil janë prekur nga përmbytjet më të rënda në 50 vitet e fundit, duke detyruar evakuimin e mbi 150 mijë njerëzve.

Ditë të tëra reshjesh të dendura, që u shkaktuan nga fenomeni i motit “El Nino”, shkaktuan fryrjen dhe daljen nga shtrati të 3 lumenjve të rëndësishëm, sipas zyrtarëve, të cilët shtojnë gjithashtu se janë regjistruar edhe të paktën 6 të vdekur.

Në Paraguaj është shpallur gjendja e emergjencës, si vendi më i prekur nga këto përmbytje, aty ku 130 mijë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. Në pjesën veriore të Argjentinës, rreth 20 mije njerëz janë detyruar gjithashtu të largohen.

E ndërsa një mot i thatë parashikohet për rajonin kufitar mes Brazilit dhe Uruguajit përgjatë ditëve në vijim, në Paraguaj dhe Argjentinë, nivelet e ujërave priten të rriten edhe më shumë.

Lumi kryesor që kalon në kryeqytetin paraguajan, Asuncion, është vetëm 30 cm larg daljes nga shtrati. Zyrtarët paralajmërojnë se nëse diçka e tillë ndodh, mund të përmbyten zona të tëra dhe mund të ketë pasoja të rënda, pasi mund të preken mijëra banorë.

Afro 200 shtylla elektrike janë shkatërruar pjesërisht ose tërësisht nga erërat e forta, duke shkaktuar kështu edhe mungesë energjie elektrike. 4 persona kanë mbetur viktima të rënies së pemëve. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Presidenti Horacio Cartes tha se 3,5 mln dollarë janë në dispozicion për të lehtësuar disi familjet e prekura nga përmbytjet.

Në Argjentinë, të paktën dy persona kanë humbur jetën. Zonat më të prekura janë provincat verilindore të Entre Rios, Corrientes dhe Chaco. Rreth 20 mijë persona janë evakuuar në qytetin kufitar të Concordias, kur lumi i Uruguajit është 14 metra mbi nivelet normale të tij. Presidenti i sapozgjedhur, Mauricio Macri, pritet të vizitojë rajonin më vonë gjatë kësaj të diele.

Në shtetin jugor të Brazilit, Rio Grande do Sul, afro 1800 familje në rreth 40 fshatra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Reshjet e dendura nisën që prej 18 dhjetorit, duke fryrë lumenjtë Kuarai dhe Uruguaji. Presidentja Dilma Rousseff shkoi në rajonet e prekura gjatë së shtunës për të inspektuar dëmet.

Edhe në Uruguaji situata është e rënduar, teksa dhjetëra persona kanë mbetur pa shtëpi. Ndërkohë që shumica e të prekurve nga përmbytjet janë rikthyer tashmë në shtëpi. Autoritetet paralajmërojnë se nivelet e ujërave mund të mbeten në gjendje alarmante për disa ditë përpara se të nisë përmirësimi i situatës.

Top Channel