Mourinho, kandidat për stolin e Anglisë

27/12/2015 11:40

Jose Mourinho shihet si kandidat për të marrë drejtimin e përfaqësueses angleze pas përfundimit të Euro 2016. Lajmi publikohet nga tabloidi britanik “Daily Mirror”, sipas të cilit, nëse “Tre Luanët” do të dështojnë në këtë aktivitet, atëherë Roy Hodgson do të japë dorëheqjen për t’ia lënë vendin pikërisht teknikut portugez.

Gjithnjë sipas “Mirror”, Mourinho i ka bërë të ditur agjentit të tij, Jorge Mendes, dëshirën për të marrë drejtimin e skuadrës së Anglisë, duke shtuar se do ta lërë për më vonë këtë objektiv, vetëm nëse ai do të mund të ulet në pankinën e Manchester United. Puna e përditshme me futbollistët e tërheq shumë 52-vjeçarin, i cili po e monitoron me kujdes situatën delikate të Louis van Gaal.

Ndërkaq, te Anglia Roy Hodgson ka një kontratë me Federatën e Futbollit të këtij vendi (FA) deri në përfundim të Evropianit të vitit 2016 dhe ende nuk ka vendosur nëse do të rinovojë me të. Ka shumë të ngjarë që drejtuesit e këtij institucioni e kanë lënë pezull këtë çështje, pasi janë në kërkim të zëvendësuesit të Hodgson për Botërorin 2018, me teknikun aktual që në atë Botëror do të jetë 70 vjeç.

Por Mourinho nuk është i vetmi trajner emri i të cilit është lidhur me përfaqësuesen angleze. Së fundmi janë folur si kandidatë për pankinën e kësaj skuadre edhe Alan Pardew, Sam Allardyce, Brendan Rodgers e madje edhe Gary Neville.

Top Channel