Kina, për herë të parë me ligj kundër dhunës në familje

27/12/2015 00:00

Parlamenti kinez, i konsideruar gjerësisht thjesht si një “vulë” e vendimeve që merr Partia Komuniste në pushtet, kaloi të dielën ligjin e parë të vendit kundër dhunës brenda familjes, i cili mbulon gjithashtu personat e pamartuar që bashkëjetojnë, por jo edhe çiftet homoseksuale.

Kina nuk ka pasur asnjëherë më parë një ligj special që ofron mbrojtje ndaj dhunës në familje, një çështje që është injoruar shpesh, pasi është synuar të shmanget hedhja e turpit mbi familjet në kulturën tradicionale kineze.

Ligji i ri ndalon çdo formë të dhunës brenda familjes, përfshi këtu abuzimin psikologjik, si dhe ndihmon në modernizimin e procesit të marrjes së urdhrave të mbrojtjes.

Sipas Federatës së Grave të Kinës, që drejtohet nga Partia Komuniste, rreth 1/4-ta e grave kanë vuajtur prej dhunës gjatë martesave të tyre, e megjithatë vetëm 40 mijë apo 50 mijë ankesa janë regjistruar thuajse çdo vit.

Ndër rastet e raportuara vitin e fundit, rreth 90 për qind e çështjeve kishin të bënin me dhunën e bashkëshortëve ndaj grave të tyre. Ligji i ri ofron mbrojtje gjithashtu edhe për çiftet në bashkëjetesë.

I pyetur në një konferencë për shtyp nëse ky ligj ofron mbrojtje edhe për çiftet gay, Guo Linmao, një anëtar i Komisionit të Çështjeve Legjislative, pjesë e komisionit të përhershëm të Parlamentit, tha se ligji ishte formuluar si kundërpërgjigje ndaj problemeve specifike të zbuluara deri më sot.

“Kemi shumë shembuj të dhunës brenda familjes, mes anëtarëve të një familjeje, e gjithashtu edhe mes njerëzve që bashkëjetojnë”, tha Guo. “Sa u përket homoseksualëve në vendin tonë, ne nuk kemi zbuluar ende forma të ngjashme dhune, kështu që për t’iu dhënë një përgjigje të duhur juve, mund të thuhet se mes njerëzve që bashkëjetojnë nuk përfshihen homoseksualët”.

Top Channel