“Maratona” 35 kilometërshe e Kusari-Lilës

27/12/2015 00:00

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka filluar prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të diele vrapimin nga qendra e qytetit të Gjakovës drejt qytetit të Pejës, në një distancë prej 35 kilometrash.

Kusari-Lila e bën këtë vrapim së bashku me 12 entuziastët e vrapit të grupit “Gërmia 555”, grup që ka organizuar këtë aktivitet sportiv me kauzën për rrugë të sigurta dhe të qeta në Kosovë.

Gjatë vrapimit të saj, kryetarja e Gjakovës u ndal në Deçan, ku u prit nga kryetari Rasim Selmanaj.

Qëllimi i vrapimit Gjakovë-Deçan-Pejë është që të tërheqë vëmendjen e opinionit dhe të Qeverisë për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës që lidh këto tri qytete. Kjo ide është përkrahur edhe nga kryetarët e komunave të kësaj pjese të Dukagjinit.

Në të gjitha pjesët e Kosovës po ndërtohen autostrada, por në Dukagjin jo, edhe pse ishte premtim i fushatës zgjedhore. Autostrada në këtë rajon duhet të jetë prioritet, sepse ajo lidh disa qytete, por edhe shtetet e rajonit, Shqipërinë e Malin e Zi.

Top Channel