Kryeministri mbledh në darkën tradicionale njerëzit e medias

27/12/2015 00:00

Kryeministri shtroi një darkë me gazetarët dhe drejtuesit e mediave, të cilët i uroi për më shumë suksese dhe lajme të gëzueshme për Vitin 2016.

Gjatë ceremonisë, Rama në fjalimin e tij të shkurtër krahasuar me atë të një viti më parë vuri në dukje se ishte kritikuar mjaftueshëm për këtë vit. Ai foli gjithashtu për marrëdhëniet me gazetarët gjatë vitit që po lëmë pas.

“Unë jam mes jush tani si kavia kryesore e punës tuaj që duhet të pranoj, bisturitë, thikët, gërshërët, zorrët me presion të lartë dhe të tjera. Prandaj dhe në fakt kam bërë edhe një zgjedhje të palavdërueshme për të mos ju lexuar dhe dëgjuar pothuajse fare drejtpërdrejtë, duke u mjaftuar me përmbledhje njëfaqeshe të zyrës së shtypit çdo mëngjes. Mendoj se dhe ju jeni shumë rehat sepse pushteti nuk ju flet në dorë dhe dora ju bën gjithçka që ju do mendja dhe zemra ”, tha Rama.

Më pas kryeministri foli për punën e bërë nga media, ku vuri në dukje se ishte kritikuar mjaftueshëm për këtë vit.

“Sonte nuk kisha si ti ikja të mirës së keqe dhe i kërkova zyrës së shtypit që të më ndihmonte për këtë fjalë me një përmbledhje të punës suaj një vjeçare me mua si lëndë e parë e prodhimeve tuaja. U mahnita me mundin që ishte derdhur këtë vit për të më bërë copa e çika për të nxjerrë konkluzione fundore për idealet e mia inekzistente, deformimet, komplekset e të tjera. Sa shumë analiza, diagnoza e prognoza në vetëm një vit, ku t’ju them të drejtën pa qenë edhe vet i vetëdijshëm kam mbretëruar sunduar, shtypur, grabitur e djegur”.

Në fund të fjalës së tij ai uroi njerëzit e medias në vend për një vit më të mbarë. 

“Përkohshmëria jonë në këtë botë është kaq e shpejtë sa që sinqerisht nuk ka asnjë kuptim të jetojmë duke harruar të qeshim me njëri-tjetrin dhe t’i buzëqeshim njëri-tjetrit sa më shumë. Me sinqeritet ju uroj të gjithëve çdo të mirë sepse përtej të gjithë asaj që bëjmë gjatë ditës e vërteta më e thjesht mbetet fakti se një ditë tjetër ikën, një muaj tjetër ikën, një vit tjetër ikën. Koha kalon me shumë shpejtësi për t’u humbur me gjëra që ndonjëherë i marrim më shumë seriozisht se ç’duhet dhe duke harruar t’i buzëqeshim njëri tjetrit. E di që për një njeri të destrukturuar deri në atë pikë sa thash tingëllon pak e vështirë për t’u besuar që unë kam dëshirë t’ju shikoj të gjithëve të buzëqeshur, por të jeni të sigurt që është një dëshirë shumë e sinqertë që buron nga arsye të mjerë menduara, të cilat le ti lëmë për vitin tjetër. Gëzuar të gjithëve! Paçi shëndet, paçi sukses dhe mbi të gjitha paçi sa më shumë gëzime dhe lajme të gëzuara, se për lajme të pagëzuara kujdeseni vetë nga mëngjesi deri në darkë”, e mbylli fjalën e tij Kryeministri Rama.

Top Channel