“28 festa në 28 institucione”, nisma për të ndihmuar të moshuarit dhe jetimet

28/12/2015 11:45

Top Channel, me rastin e festave të fundvitit, ka shpërndarë këtë të hënë pako me ushqime e dhurata në qendrën polivalente ditore të të moshuarve në Kamëz.

Ky donacion u realizua në kuadër të aktvitetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për organizimin e 28 festave në 28 institucione të përkujdesit social në të gjithë vendin.

Të pranishëm në këtë festë kanë qenë ministri Blendi Klosi, ai i Bujqësisë Edmond Panariti, përfaqësues të bashkisë, etj.

Kryeministri Rama dhe ministri Klosi, në kuadër të këtij organizimi kanë qenë të pranishëm në Qendrën e Zhvillimit në Durrës.

“Krahas atmosferës festive dhe falë saj duhen nënvizuar 2 gjëra, që janë dhe objektiva të qeverisë dhe qëllime të shoqërisë: e para lidhet me luftën ndaj diskriminimit të PAK në jetën shoqërore e private; ndërsa e dyta me aksesin e tyre në shërbime”, tha Rama.

“Kudo që kemi një vuajtje apo dhimbje, ne përpiqemi të krijojmë një traditë që të shërbejë përgjatë gjithë vitit. Këta njerëz më shumë se kushdo e kuptojnë që kanë nevojë për dashuri. Prandaj ne jemi së bashku, për të dhënë më shumë dashuri dhe urime për këta njerëz që duhet të integrohen në shoqëri”, tha Klosi.

Top Channel