Bilanci i Policisë së Kosovës për vitin 2015

28/12/2015 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, në ceremoninë përmbyllëse për vitin 2015 prezantoi arritjet, sfidat dhe prioritetet që ky institucion pati gjatë vitit.

Ndër objektivat kryesore të realizuara nga Policia e Kosovës gjatë vitit 2015, sipas Maxhunit ishin siguria publike, kontrolli dhe mbikëqyrja e kufirit, parandalimi dhe lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe formave të tjera të aktiviteteve kriminale.

Objektiv i rëndësishëm për policinë ishte edhe lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit, për të cilat Maxhuni tha se Policia e Kosovës arriti suksese të dukshme.

“Pa dyshim që një nga objektivat kyçe në kuadër të aktiviteteve të Policisë së Kosovës, i parashikuar edhe si objektiv strategjik, ka qenë edhe lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit. Brenda kësaj periudhe janë hapur 28 raste të reja, janë ndërmarrë 5 operacione, 12 bastisje, janë arrestuar 25 të dyshuar, si dhe janë ngritur 15 kallëzime penale kundër 44 personave, të dyshuar për përfshirje në aktivitete që ndërlidhen me elemente të terrorizmit”, tha Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Ndërsa parandalimi dhe lufta e krimit të organizuar mbeten prioritet në Policinë e Kosovës. Maxhuni bëri të ditur se, gjatë këtij viti janë goditur 32 grupe kriminale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni tha se, në Policinë e Kosovës shohim profesionalizëm, përkushtim dhe patriotizëm përmbajtësor në misionin e saj për zbatimin e rendit dhe ligjit.

“Kjo polici, natyrisht që do të ketë përkrahjen time dhe unë zotohem këtu, që do të vazhdoj me përkushtim të veçantë, që të përqendrohem në ato linja strategjike të avancimit të mëtejshëm të Policisë së Kosovës. Do të përkushtohem në disa veprime strategjike, që Policinë e Kosovës do ta bëjë tërësisht konkurrente në tregun policor europian, tani kur Kosova ka nënshkruar edhe zyrtarisht MSA-në”, tha Skënder Hyseni, ministër i Brendshëm.

Në këtë ceremoni u bë e ditur se, gjatë vitit 2015, Policia e Kosovës ka evidentuar mbi 42 mijë raste dhe ka arrestuar mbi 12 mijë persona.

Sfidë për policinë ishte siguria në transportin rrugor. Ndërkohë që është shënuar rënie në raportimin e rasteve dhe veprave penale në përgjithësi. Krahasuar me vitin e kaluar, rënie është shënuar edhe në numrin e vrasjeve, që vitin e kaluar kapnin shifrën 29, ndërsa këtë vit ishin vetëm 19.

Gjatë ceremonisë u ndanë medalje policore, certifikata dhe mirënjohje për zyrtarë policorë dhe letra falenderimi për gazetarët, që kanë përcjellur aktivitetet e policisë, ndër të cilët edhe zyra e Top Channel në Prishtinë.

Po ashtu u ndanë vlerësime, si shenjë mirënjohjeje dhe bashkëpunimi, për ministrin e Brendshëm Skënder Hyseni dhe kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin.

Top Channel