Tjetër ndjesë nga Serbia për krimet e luftës në Kosovë

28/12/2015 00:00

Një tjetër zë nga Beogradi kërkon falje publike për krimet e Serbisë në Kosovë. Është kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviç, i cili në një takim në Tiranë me kreun e republikanëve shqiptarë, Fatmir Mediu, dhe atë të Kosovës, Faton Kurti, shprehu ndjesën e tij për atë që ka ndodhur në Kosovë.

“Jam sot këtu që në emër të popullit serb, shumica e të cilit e di se çfarë është bërë në Kosovë, të kërkoj ndjesë publike për të gjitha krimet. Na vjen keq që popullit kosovar, për interesa të ngushta të politikanëve serbë, iu desh kaq shumë mund, vuajtje e gjak për të marrë lirinë e tij dhe të drejtën e fjalës. Ne përgëzojmë faktin që, pas gjithë këtij kalvari, Kosova është një shtet i lirë, i pavarur dhe sovran. Serbët e mirë e njohin këtë. Sot e gjithë bota duhet ta dijë këtë lajm. Ne si forcë politike kemi synim njohjen zyrtarisht të shtetit të Kosovës, si dhe anëtarësimin e Serbisë në BE dhe NATO”, tha Nikola Sanduloviç, kryetari i Partisë Republikane serbe.

Nga ana e tij, Fatmir Mediu theksoi se, veç ndjesës publike që kërkoi, Sanduloviç është një nga zërat më të fortë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ajo që na mbetet është ta shohim këtë, si një histori europiane e një vendi anëtar të NATO-s. Ne si Parti Republikane jemi të disponueshëm të gjëjmë urat e komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon. Mendoj se zëra të tillë janë të domosdoshëm në momentet e debateve të pafrytshme”, tha Mediu.

Ndërsa Faton Kurti iu drejtua me një mesazh kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç.

“Të bëjmë atë, që qeveritë tona dhe Bashkimi Europian nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë. Ky është takimi i dytë historik, pasi të parin, unë me përfaqësinë time e patëm në Serbi, ku u pritëm nga zoti Sanduloviç, i cili për hir të së vërtetës na surprizoi jo vetëm me pritjen, por edhe me deklaratat e tij. Ardhja jonë sot në Tiranë, në emër të PR-së, përbën një histori suksesi”, tha Faton Kurti, kryetar i Partisë Republikane kosovare.

Gjatë takimit, 3 krerët republikanë biseduan rreth krijimit të një Unioni Ballkanik Republikan.

Top Channel