Transporti urban, s’ka pakt për çmimin e biletave. Më 1 janar ndërpritet shërbimi

28/12/2015 00:00

Bashkia e Tiranës nuk është tërhequr nga qëndrimi për të mos pranuar rritjen e çmimit të biletës së transportit urban në kryeqytet, në një tjetër takim të zhvilluar me shoqatat e transportit. Por këta të fundit paralajmërojnë edhe një herë se, në kushtet e krizës financiare, në të cilën është zhytur sektori, në datën 1 janar do të ndërpresin shërbimin për qytetarët.

“Flitet vetëm për rritje cilësie dhe për rinovim të flotës, perfeksionim të shërbimit. Për pjesën e çmimit nuk u diskutua asgjë. Do t’i qëndrojmë kërkesës sonë për dorëzimin e licencës më 1 janar”, tha njëri prej përfaqësuesve të Shoqatës të Transportit Urban.

“Çështja e çmimit duhet diskutuar, pasi të ezaurohen 3 pikat kryesore të reformës sonë në transportin publik; së pari shtrirja e rrjetit në të gjithë qytetin, së dyti modernizimin e shërbimit si nga cilësia e autobusëve, ashtu dhe shpeshtësia me të cilën vijnë ato, dhe së treti futja e biletave elektronike”, tha Arbian Mazniku.

Nënkryetari i bashkisë thotë se, çështja do të diskutohet edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit. Shoqatat kanë kërkuar rritjen e çmimit të biletës nga 30 në 70 lekë, çfarë është kundërshtuar kategorikisht nga kreu i bashkisë, Erion Veliaj, i cili këmbëngul se ky çmim nuk justifikon cilësinë e shërbimit që ofrohet nga shoqëritë e transportit urban.

Top Channel