Pas vitit 2015, që regjistroi një numër rekord turistësh në Greqi me rreth 26 milionë, 4 milionë më shumë se në vitin 2014, viti i ardhshëm pritet që të jetë edhe më i begatë, për sa i përket turizmit, motorit të ekonomisë greke.

Siç thekson edhe “Deutsche Welle”, të paktën dy milionë më shumë turistë, kryesisht nga Rusia, do të vizitojnë Greqinë në vitin 2016. Pas acarimit të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Turqisë në javët e fundit, nga 4.5 milionë rusë që shkojnë çdo vit në Turqi, vlerësohet se gjysma e tyre me siguri do të preferojnë hotelet bregdetare të Greqisë.

Janë të shumtë edhe turistët rusë që vizitojnë Egjiptin, por pas rrëzimit të avionit rus me 224 persona në bord mbi gadishullin e Sinait, thuhet se tashmë ata do të zgjedhin Greqinë si destinacion më të sigurtë turistik.

Sipas “Deutche Welle”, rritje do të ketë edhe numri i turistëve gjermanë në Greqi për vitin e ardhshëm. Kjo vihet re nga interesimi i jashtëzakonshëm i agjencive turistike gjermane pranë hoteleve greke, që në këtë periudhë.

Shembulli më tipik ishte mbërritja e 4500 gjermanëve në Iraklio të Kretës, për të festuar Krishtlindjen. Athina shprehet e kënaqur nga rritja e numrit të turistëve, pasi në këtë periudhë 7-vjeçare recesioni, me gjithë mbylljen e bankave, vendosjen e kontrollit të kapitalit dhe zhvillimeve politike me dy zgjedhje parlamentare dhe një referendum, vetëm sivjet turizmi (që përbën 20% të PBB-së) ka sjellë 14.5 miliard euro të ardhura, 230 milionë euro më shumë se në vitin 2014.

Por me gjithë optimizmin, në disa prej ishujve greke si Mitilini, Hios dhe Kos, organet vendore dhe bizneset shprehen të shqetësuara për uljen e të ardhurave nga turizmi, për shkak të krizës së refugjatëve. Në verën e kaluar, pamjet që bënin xhiron e botës me mijëra emigrantë në rrugët e këtyre ishujve, sollën anulimin e 170 mijë prenotimeve dhe reduktimin e të ardhurave nga ky sektor, në më shumë se 7 milionë euro.

Gjithashtu, siç thekson Unioni i Operatorëve Turistikë në vend, ajo që pengon bizneset greke të kenë një numër edhe më të madh turistësh, janë kostoja e madhe e krahut të punës, si dhe taksat e larta, që e bëjnë një udhëtim në Greqi 3 herë më të shtrenjtë se në Turqi apo Egjipt.

Top Channel