“Shqipëria tjetër”, “fund bote” pak kilometra nga “Skënderbeu”

28/12/2015 00:00

Rruga gjarpëron përsipër, ndërsa disa ura të lodhura të bëjnë të mendosh se po shkon kushedi se ku.

Kemi përshkuar jo më shumë se 15 kilometra nga qendra e Tiranës, që do të thotë se këtu nuk jemi në ndonjë majë të humbur, por jemi ende në bashkinë e kryeqytetit, ndërsa kjo është rruga apo lidhja e vetme e fshatit Allgjatë me civilizimin, me zhvillimin që duhet të sjellë Tirana. Por sa zhvillim mund të sjellë kjo rrugë? Të shohim…

“Në këmbë, makinat vijnë por nuk na marrin se është rruga e prishur. Më shumë e bëjmë në këmbë”, thotë Pëllumb Shima.

Në këtë fshat, furgonët normalë nuk hyjnë. Shpesh banorët, nëse nuk gjejnë ndonjë nga pak automjetet e fshatit, duhet të zbresin poshtë me automjete mallrash.

“Ja me ndonjë makinë, po s’pati makina i hipim kalit… Çfarë të bësh”, thotë Ardian Shima.

Nuk është e vështirë, që imazhet të të ngatërrohen në fshatin Allgjatë; pragviti 2016 apo fillimshekulli i XIX. Gjithçka është shumë larg Tiranës, edhe pse pallatet shumëkatëshe duken që këtu. Ngrenë kryet, sikur kërkojnë t’i bëjnë ironi shtëpive të vogla e të lodhura, të shumicës së banorëve të këtij fshati.

“Na pyesin shpesh, se ku rrimë. U përgjigjemi në Tiranë, e kur futemi në detaje përmendim edhe Allgjatën. Kjo e fundit si të ishte nga fundi i botës”, thotë Bedri Shima.

Fshati ka mëse 80 familje, pra nuk është i vogël e nuk mund të ketë justifikime për mungesën e investimeve. Mbahet me pak bujqësi sa për vete, e po ashtu edhe me blegtorinë. Është e pabesueshme të shikosh këto fusha, disa të punuara e të tjera të lëna djerrë. Ujë vaditës nuk ka, çfarë do të thotë se garancitë për të mbjellë mungojnë, për të mos thënë kalvarin që duhet të kalojnë edhe ata, që përpiqen të bëjnë diçka të tillë. Në fakt duhet thënë se, ujë ka pasur dikur nga rezervuari i fshatit, por kanalet vaditës sot janë tërësisht jashtë funksioni.

“E prodhoj një mall dhe s’di ku ta çoj. Në qoftë se 1 kg domate e kam shitur 200 lekë, te ty do të vijë 700-800 lekë. Fitimin e ka tregtari, nuk e ka ai që e prodhon. Ky është problemi kryesor i fshatit sot”, thotë Xhevdet Allgjata.

E po të shtosh këtu kostot e plugimit, frezimit, mbjelljes, farërat, plehrat kimikë etj, çfarë mbetet për këta prodhues të vegjël?

“Shumicën e rasteve e hedhim, ku ta çojmë? E hedhim nëpër përrua, nuk kemi se ku ta çojmë në tjetër vend. Tregu është shumë i dobët”, thotë Surjan Allgjata.

Nuk shkon më mirë as blegtoria. Edhe në këtë rast, banorët duhet të sfiliten për të marrë fitime të papërfillshme. Kush ka investuar diçka është zhytur në një spirale të frikshme borxhesh.

“Po, prodhimet bujqësore s’ke ku i çon sepse s’ka treg. Të shkosh në treg s’gjen vend, je i detyruar mos ta mbjellësh tokën fare, vetëm blegtori. Një pjesë madje luftojnë për bukën e gojës”, thotë Zyber Allgjata.

“Unë kam një problem se, kam 120 kokë, i kam matrikulluar të gjithë, mi kanë shpuar edhe te veshi, dhe paratë e mia i kanë vjedhur të gjitha. Prodhimin që marrim nga bagëtia përfundon në përrua, atje është duke ikur tërësisht”, thotë Besnik Allgjata.

Shumica e të rinjve, duke parë se as bujqësia dhe as blegtoria nuk japin mjaftueshëm, lënë fshatin në përpjekje për një punë në ndërtim. Dikush gjen, shumica tjetër kthehet sërish në darkë me kokën ulur, përballë pamundësisë jo për të fituar diçka, por për të garantuar thjesht mbijetesën. Këtu edhe fëmijët janë rritur para kohe, e ndoshta ky është mëkati më i madh. U është marrë edhe mosha më e bukur…

Nëse futesh edhe më në brendësi të fshatit, rruga bëhet edhe më e tmerrshme. A thua se po udhëton drejt një bote tjetër?

“Përveç kafshëve, me asgjë tjetër nuk mund të komunikohet këtu gjatë dimrit, edhe siç e patë vet, rruga është e gjitha me baltë. Çfarë t’i bëjmë, s’ka zgjidhje tjetër”, thotë Ramazan Allgjata.

“Është vënë dorë që në kohën e sistemit të parë dhe nuk ka asnjë lloj interesimi. Këtu s’vijnë as ata që duhet të vijnë”, thotë Aleksandër Skëndaj.

Në Allgjatën 15 kilometra nga “Gjergj Kastrioti”, që qëndron krenar në qendër të Tiranës, nuk ka as ujë për të pirë. Si i bëhet? Ujë pusi, sigurisht. Pus dikur, shekuj më parë, pus edhe sot, në shekullin e XXI.

“Nuk i marrim kurrë lekët që investojmë. Nuk bëhet fjalë fare”, thotë Sabah Allgjata.

Këtu ka kaq shumë varfëri, kaq shumë probleme sociale, sa mund të kuptosh më shumë se gjithçka, se ç’do të thotë mungesë e projekteve serioze për të zhvilluar këto zona. Bukuria nuk mungon, tokat gjithashtu, gjeografikisht Tirana është në kthesë, por ja si jetohet…

“7 mijë lekë pension kam, se nuk kam krah pune. Djalin e kam të sëmurë”, thotë Dylbere Allgjata.

“Me pension, vetëm me pension. Jemi pleq, plakun e kam të sëmurë me të meta mendore, se më vdiq vajza 36 vjeçe”, thotë Lutfie Allgjata.

Kjo është Allgjata, pjesë e Bashkisë Tiranë, sigurisht vetëm si ndarje territoriale, sepse në terren, gjithsekush mund të gjykojë…

Top Channel