“Bleta e Artë” 2015, Rama: Do të forcojmë marrëdhënien shtet-sipërmarrje

28/12/2015 00:00

E kthyer tashmë në një traditë, për të tretin vit radhazi, Ministria  e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes shpërndau çmimet “Bleta e Artë” për bizneset më të spikatura të vitit 2015.

Gjatë ceremonisë që synon promovimin e sipërmarrjes private, kryeministri Edi Rama theksoi se çdo reformë e ndërmarrë deri më tani është në favor të bizneseve private.

“Reforma në drejtësi është pa më të voglin dyshim një tjetër domosdoshmëri për të pasur një sipërmarrje që në të gjithë funksionimin e vet të ndjehet e lirë dhe e qetë jo, sepse të qetë s’do të jeni kurrë sepse keni vendosur të merreni me biznes, dhe s’dua t’ia ndjell asnjë njeriu po gjithmonë më kujtohet fjala e Luan Bregasit në 25 vjet ka pasur shumë prej jush që janë ndarë nga jeta me infarkt, asnjë politikani deri më tani nuk i ka rënë infarkt, kështu që stresi është i juaji më shumë sesa i tjerëve, por ama për të pasur mundësinë për të garuar në një fushë ku konkurrencën e bëjnë idetë, e bën guximi, e bën merita dhe të gjithë faktorët e tjerë. Kemi vetëm një zgjedhje: të mbështetemi sa më fortë tek sipërmarrja, ta ngremë sa më lartë vlerën që krijon sipërmarrja, t’i vendosim sipërmarrësit në të njëjtin piedestal që shoqëritë tona vendosin sportistët, këngëtarët, këtu ën Shqipëri edhe politikanët”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama e konsideroi të papranueshme faktin që shumica kërkojnë të angazhohen në punë shteti dhe jo në privat, situatë e cila vjen për shkak të kulturës 25-vjeçare që sipas Ramës, nuk promovoi një tendencë të tillë.

“Nuk kanë kaluar shumë vite, drejtorët e tatimeve i mblidhnin paratë e biznesit në kuti këpucësh poshtë tavolinës në zyrë. Ata që qeshin i kanë parë kutitë e këpucëve, apo deri në dy vite e gjysmë më parë drejtorët ishin komandantë operacioneve ndëshkimore që lëshoheshin magazinë në magazinë për të mbledhur paratë. Nuk është pak progres që sot këto realitete të zymta që e shoqëruan sipërmarrjen për vite të tëra duken si ëndrra të këqija”, vijoi Rama.

“Por vetëm pas katër ditësh, 83 mijë biznese në Shqipëri do të paguajnë 0 taksë, është kjo më mirë se çka qenë 3 vite më parë? Është kjo më mirë se çka qenë një javë më parë? Sigurisht që shifrat dhe reformat janë kokëforte. Janë rreth 167 mijë vende të reja pune të krijuara në ekonomi deri më sot, kjo është shumë më mirë se disa vite më parë dhe patjetër disa hapa larg premtimit për 300 mijë vende të reja pune duke përfshirë edhe bujqësinë”, deklaroi ministri Ahmeti.

Me çmimin “Bleta e Artë” u vlerësuan 12 bizneset më të mira të 2015-s. Një nga fituesit është edhe Geront Çela, kategoria “sipërmarrës në industri”.

“U nisa me shumë qejf për në Itali për të parë fabrikat si puna ë kësaj që do të ndërtonim, në një moment thashë: I je futur detit në këmbë Geron, do ta bësh apo jo, por në fund ia dolëm”, deklaroi Çela.

Ndërkohë, për kategorinë “Administratorja e vitit” u shpall drejtoresha e QSUT, ndërkohë që “Administratori i vitit” u konsiderua kreu i OSHEE-së.

Çmimet që u ndan në “Bleta e Artë” 2015

Administratorja e vitit – Ogerta Manastriliu, drejtuese e QSUT-s
Administratori i vitit – Ardian Çela, kreu i OSHEE-së

Çmimi “Made in Albania” – Oliv Oil
Çmimi “Sipërmarrja inovative” – Çelësi Media Group
Çmimi “Gruaja sipërmarrëse” – Eleni Babameto
Çmimi “Vula e cilësisë” – Agro Al
Çmimi “Përgjegjësi sociale” – Bloja sh.a
Çmimi “Sipërmarrësit e rinj” – D@g
Çmimi “Sipërmarrje në kulture” – Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit
Çmimi “Sipërmarrësit në industri” – Dekoll
Çmimi “Biznesi i vogël” – Mcp
Çmimi “Shija e posaçme” – Rapsodia
Çmimi “Mikpritja e spikatur” – Hotel Tirana
Çmimi kategoria e punësimit – Ama dress

Top Channel