Gjermani, mbi 8200 klasa të veçanta për fëmijët e refugjatëve

28/12/2015 00:00

Gjermania jo vetëm që i ka hapur dyert refugjatëve për t’i dhënë atyre një strehim të sigurtë larg luftës në Siri, por ka nisur procedurat për të ofruar shërbimet e një jetese normale për ta. Si një nga nismat e para është shkollimi i fëmijëve të emigrantëve.

Qeveria ka angazhuar rreth 8.500 mësues të cilët do të marrin përsipër shkollimin e tyre. Numërohen afërsisht  196 mijë fëmijë që pritet të hyjnë në sistemin shkollor gjerman vitin e ardhshëm, ndaj edhe janë krijuar 8264  klasa të veçanta për t’i ndihmuar ata që të kapin nivelin njësoj si bashkëmoshatarët  e tyre.

Reforma është shtrirë në 16 shtete federale gjermane, ndërkohë që një studim tregon se janë gjithsej 325 mijë fëmijë të moshës shkollore që kanë mbërritur në një vend të Bashkimit Europian vetëm në vitin 2015.

Në eksodin më të madh të refugjatëve që pas Luftës së Dyte Botërore, Gjermania pret më shumë se një milion azilkërkues, pesë herë më shumë se në vitin 2014.
 
Tani vendi po vë në zbatim te gjitha mekanizmat për të ofruar shërbime ndaj të gjithë të sapoardhurit. “Shkollat dhe administratat arsimore kurrë nuk janë përballur me një sfidë të tillë”, tha Brunhild Kurth, një zyrtar i lartë i arsimit në Gjermani.

E ndërsa Heinz-Peter Meidinger, kryetar i Sindikatës së Mësuesve, tha se Gjermania do të duhet të shtojë stafin pedagogjik me 20 mijë mësimdhënës shtesë me qëllim që të përballojë fluksin e ri.

Sipas tij, qeveria duhet të bëjë me dije sa më shpejt shpalljen e vendeve të punës për arsimtarët, pasi deri në verën e vitit 2016, Meidinger thotë se vendi do të nisë të ndjejë mungesën e stafit.

Top Channel