Belgjikë, kishin planifikuar sulme terroriste për Vit të Ri; arrestohen 2 persona

29/12/2015 08:50

Dy persona janë arrestuar nga forcat belge të policisë, nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Bruksel në vigjiljen e ndërrimit të viteve.

Prangosja e tyre erdhi në vazhdën e “blic”-eve të ndërmarra të dielën dhe të hënën në kryeqytetin belg, si dhe në provincat e Liezhit dhe Brabantit flamand. Gjatë bastisjeve u sekuestruan veshje ushtarake e pajisje kompjuterike, por nuk u gjetën as armë e as eksplozivë.

Belgjika vazhdon të mbetet në gjendje gatishmërie të lartë ndaj sulmeve terroriste, që prej ngjarjeve të dhunshme të 13 nëntorit në Paris. Një pjesë e mirë e organizatorëve të dhunës në kryeqendrën e Francës, bazat e tyre i kishin në Belgjikë.

Arrestimet e fundit, megjithatë, nuk kanë lidhje me ngjarjet tronditëse të muajit të kaluar. Një prej të ndaluarve dyshohet se drejtonte një celulë terroriste e rekrutonte të rinj. Mbi dy të dyshuarit rëndojnë akuzat e planifikimit të sulmeve ndaj disa “shënjestrave simbolike” në Bruksel, si dhe ndaj vet policisë, tha radiotelevizioni belg “RTBF”.

Mes materialeve të sekuestruara kishte edhe elementë propagandistikë në mbështetje të ISIS-it. 4 persona të tjerë u morën në pyetje nga policia, e më pas u lanë të lirë.

Numri i të ashtuquajturve “foreign fighters” (luftëtarë të huaj) nga Belgjika me 10 milionë banorë, është relativisht i lartë krahasuar me nivelin e BE-së.

Vetëm në Francë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe, numri i të rinjve të radikalizuar, që shkojnë drejt zonave të luftës, është më i lartë sesa atje. Vendi ka një kuotë jo të vogël popullsie emigrantësh, që vijnë nga vendet myslimane, e deri vonë, organizatat radikale islamike në Belgjikë kanë mundur të punojnë të patrazuara.

Top Channel