Australi, skandalet detyrojnë dy ministra të dorëhiqen

29/12/2015 11:00

Dy ministra të kabinetit australian kanë dhënë dorëheqjen për skandale që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Ministri i Infrastrukturës dhe Zhvillimit Rajonal, Jamie Briggs, vendosi të lërë postin pas ankesës së një punonjëseje për mënyrën e sjelljes së tij në një bar të Hong Kongut.

Ministri i Posaçëm i Shtetit, Mal Brough, largohet në mesin e një hetimi policor mbi rolin e tij në rrëzimin e një tjetër politikani. Me pozicione të rëndësishme të ekzekutivit të mbetura bosh e që duhen zëvendësuar brenda ditës, kjo për kryeministrin Malcolm Turnbull ishte goditja më e fortë që prej marrjes së detyrës.

Briggs, siç pohon edhe vetë, shkoi bashkë me shefin e stafit, disa zyrtarë dhe një nëpunëse publike në një bar të mbushur me njerëz gjatë një udhëtimi pune në Hong Kong. Në asnjë moment, shpjegon ai në deklaratën ku jep arsyet e dorëheqjes, nuk ka qenë qëllimi im të ofendoja ndokënd. “Megjithatë, në ditët që pasuan atë mbrëmje, punonjësja ngriti shqetësime mbi sjelljen time ndaj saj. I kërkova ndjesë personalisht, megjithatë, pas një reflektimi të thellë si dhe faktit që isha natën vonë në një bar gjatë një vizite pune jashtë kufijve, arrita në përfundimin se kjo sjellje nuk përmbush standartet veçanërisht të larta të qëndrimit për ministrat”, shtoi Briggs, i cili refuzoi megjithatë të komentonte në mënyrë më të detajuar natyrën e incidentit dhe nuk e bëri publik emrin e nëpunëses që hodhi akuzat kundër tij.

Brough, nga ana tjetër, i cili shërben njëkohësisht edhe si ministër Shkencash, është nën hetim nga policia për sigurimin e paligjshëm të ditarit të një politikani tjetër. Përftimi i parregullt i kopjeve të ditarit të ish-kreut të Parlamentit, Peter Slipper, në vitin 2012, kur ky i fundit u përfshi në një rast ngacmimi seksual, e ka detyruar Brought të dorëzojë portofolin e ministrit. Ai mohon çdo gabim, ndërsa kryeministri Turnbull, edhe pse e përshëndeti vendimin e 53-vjeçarit për të bërë mënjanë kur është nën hetim policor, sërish nuk e fshehu zhgënjimin nga sjellja e tij.

Top Channel