“Shpërthen” Platini: Në Zyrih askush nuk e do UEFA-n

29/12/2015 11:10

Michel Platini vendos të flasë pas dënimit me 8 vjet pezullim nga aktivitetet të Komisionit të Etikës së FIFA-s. Në një intervistë të dhënë në Dubai, ku u zhvilluia edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve “Globe Soccer Awards”, francezi që deri tani ishte në rolin e presidentit të UEFA-s shpërtheu në kundërsulm ndaj këtij dënimi që erdhi për shkak të një pagese që ai mori nga Blatter në vitin 2011, për disa konsultime të kryera në periudhën 1999-2002.

“Kur Blater në vitin 1998 më kërkoi në FIFA, më siguroi një pagë prej 300 mijë frangash dhe më premtoi dhënien edhe të diferencës së saj, por kjo në një kohë të mëvonshme, pasi në atë periudhë nuk mund të paguhesha më shumë se Sekretari i Përgjithshëm në vitin 2011. Drejtori i Financave më kërkoi një faturë dhe una ia dorëzova. Pas 10 ditësh mora atë që më takonte, pagën të ndarë në 4 këste me nga 500 mijë franga, shuma pë të cilat kam paguar edhe taksat në Zvicër, ku edhe banoj”, deklaroi Platini.

Francezi më pas foli më konkretisht për dënimin e tij, duke deklaruar se po pret që Komisioni i Etikës t’ i shpjegojë arsyet se përse e mori këtë vendim, duke shtuar se në Zyrih askush nuk e do UEFA-n: “Nuk kam parë kurrë që të dënohet një person që paguan taksat. Dua të di se si është e mundur që dikush që më ka paguar për punën të më bëjë më pas objekt hetimi të Komisionit të Etikës së FIFA-s. Pres që të mësoj arsyet e këtij pezulllimi 8-vjeçar, pasi do ta çoj këtë vendim te Apeli e më pas edhe te Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. Avokatët e mi janë gati dhe unë do të shkoj në të gjitha instancat. Nuk e pranoj këtë padrejtësi. Në këtë çështje nuk është në lojë emri im, e vërteta është se në Zyrih e urrejnë UEFA-n, një konfederatë pa skandale. Një gjë është e sigurt: unë kandidova sepse kisha 100 deklarata votash të shkruara dhe 50 në formë verbale dhe kjo ka shkaktuar zemërim në Zyrih”.

Top Channel