Vrasja e gazetarëve, “Charlie Hebdo” rendit Francën të dytën

29/12/2015 00:00

Sulmi i janarit në redaksinë e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo” e katapulton Francën në vendin e dytë të listës së përvitshme të vendeve më të rrezikshme për reporterët.

9 gazetarë u vranë atje, brenda ambienteve ku punonin; vetëm Siria ka më shumë gazetarë të vrarë gjatë 2015-tës: 13 në total. Sipas Komitetit të mbrojtjes së Gazetarëve CPJ, numri i reporterëve që kanë humbur jetën këtë vit në krye të detyrës është 69.

28 prej tyre, apo 40% e shifrës së mësipërme, janë vrarë nga ekstremistët e shtetit islamik. Bilanci i vdekjeve në përgjithësi, duke llogaritur këtu jetët e humbura nga 1 janari deri në 23 dhjetor, është më i lartë sesa ai i 61 gazetarëve të vrarë në 2014-tën. Dhe mund të rritet akoma më shumë, pasi CPJ po heton vdekjet e të paktën 26 reporterëve të tjerë, për të përcaktuar saktë nëse kanë lidhje me punën e tyre.

Për median, Siria vazhdon të mbetet prej katër vjetësh vendi më vdekjeprurës, megjithëse 13 vdekjet e regjistruara këtë vit përbëjnë një rënie krahasuar me vitin që shkoi.

Megjithatë, kjo pjesërisht reflekton rrudhjen e numrit të gazetarëve që punojnë në Siri tani teksa ISIS vazhdon të zgjerojë territoret e pushtuara, ndërsa mund të shërbejë nga ana tjetër edhe si tregues i vështirësive në rritje për monitorimin e dhunës në vend.

Top Channel