Nishani kthen ligjin e pronave: Kompensimi, antikushtetues e jo i drejtë

29/12/2015 00:00

Presidenti i Republikës e mbyll vitin 2015 me një tjetër kthim ligji. Kryetari i shtetit nuk ka aprovuar ligjin e ri për kthimin dhe kompensimin e pronave, të miratuar nga mazhoranca në Kuvend javën e parë të dhjetorit.

Përmes një sqarimi tejet të gjatë, presidenti argumenton qëndrimin e tij kundër ligjit të qeverisë me skemën e ofruar prej saj, për zgjidhjen e çështjes së mprehtë të pronave.

“Ligji do të aplikohet mbi kërkesat e patrajtuara dhe të zvarritura deri më sot, duke cënuar pritshmërinë e aplikantëve të cilët kanë paraqitur aplikimet e tyre referuar ligjit të mëparshëm dhe nga ana tjetër vendos një skemë kompensimi që nuk duket aspak realiste, përsa kohë nuk ekziston një numër i saktë dhe përfundimtar i vendimeve administrative dhe gjyqësore lidhur me kompensimin e pronës, skema e kompensimit i referohet llojit të pronës në momentin e shpronësimit gjatë regjimit komunist dhe nuk ekziston një hartë vlere transparente që reflekton çmimin e tregut”, thotë Nishani.

Duke thënë këtë, presidenti argumenton se skema e propozuar nga qeveria, për të dyja kategoritë, atyre që iu është njohur titulli i pronësisë por nuk e kanë marrë atë, sikundër edhe ata që do të aplikojnë për njohjën e pronës, bie ndesh me parimin e sigurisë juridike. Për ata që presin kompensimin, presidenti jep një argument jo të pa dëgjuar më parë, atë të vlerës së kompesimit.

“Në rastet kur shteti nuk ka mundësi të kthejë pronën, njeh kompensimin i cili i korrespondon vlerës më të fundit të pronës”, citon presidenti vendimin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë që qeveria me këtë ligj – shton ai – kërkon që aplikantët të kompensohen për llojin e pronës në momentin e shpronësimit, duke e përllogaritur sipas hartës së vlerës së vitit 2014.

“Gjykata ka konsideruar se kërkesat e paraqitura kohë më parë nuk mund të llogariten referuar hartës së vlerës së vitit 2014, pasi do të krijonte një pabarazi mes palëve, ndërkohë që harta e vlerës së vititi 2014 nuk reflekton vlerën e tregut dhe në shumë qytete kryesore në vecanti në Tiranë, harta e vlerës është ulur ndjeshëm”, vijon Nishani.

Presidenti nuk është dakord as me zgjidhjen që i ka dhënë qeveria dosjeve të patrajtuara, ose atyre që nuk kanë aplikuar ende që bie ndesh argumenton ai me parimin Kushtetuës të sigurisë juridike, të barazisë para ligjit dhe të së drejtës së ankimit.

“Këtyre aplikantëve iu është mohuar një proces i rregullt ligjor dhe qeveria, për të mbuluar shkeljen përmes rregullimit ligjor, pretendon ta fshehë këtë fakt dhe për më tepër të përcaktojë një afat jo të arsyeshëm kohor, prej tre vitesh të tjera, për të përmbyllur trajtimin e kërkesave që nuk janë arritur të trajtohen ndoshta prej 10 vitesh”, nënvizon kreu i shtetit.

Duke i shtuar edhe argumente të tjera kësaj pike, përse ligji i pronave nuk është i drejtë, i barabartë dhe aq më pak efikas për të përmbushur ambicjen e qeverisë për t’i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë çështjes shumëvjeçare të pronave, presidenti i bën thirrje deputetëve ta rishikojnë atë.

Kthim i ligjit nga presidenti do të rihapë debatin për këtë çështje sërish në Kuvend, ku edhe opozita, pothuajse me të njëjtat argumente të shkeljes së sigurisë juridike, kundërshtoi fort këtë variant të qeverisë për zgjidhjen e çështjes së pronës. 

Top Channel