Seria A, Juve skuadra me më shumë pikë në 2015

29/12/2015 00:00

Juventus është skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë gjatë 365 ditëve të vitit 2015. Pavarësisht fillimit jo të mirë të sezonit, skuadra torineze ka arritur të mbajë kryesimin e këtij klasifikimi të veçantë që bazohet te pikët e fituara gjatë këtyre 12 muajve, gjë që ndodh për të katërtin vit radhazi.

Në këtë vit, Juventus që fitoi titullin, Kupën e Italisë dhe arriti deri në finalen e Champions League, ka mundur të fitojë 81 pikë me 24 fitore, 9 barazime dhe 6 humbje. Rekordi i 2014 i saj me trajnerin Conte në pankinë është larg, por gjithësesi për bardhezinjtë viti 2015 është ai që do të konsiderohet si perfekti. Menjëherë pas Juventusit në këtë klasifikim të veçantë të Serisë A, ndodhet Fiorentina me 75 pikë, e ndjekur nga Napoli me 71 pikë.

Klasifikimi vijon me Interin që është në kuotën e 70 pikëve, ndërsa Roma e Milan pozicionehen respektivisht në vendin e pestë dhe të nëntë. Por surprizat e 2015 në futbollin italian mbajnë emrat e Sassuolo dhe Empoli, që kanë grumbulluar respektivisht 56 dhe 52 pikë.

Top Channel