Kreditimi i bujqësisë, qeveria vë fond garancie për bankat që japin kredi

29/12/2015 15:35

Përballë borxhit të lartë dhe mungesës së parave, qeveria po tenton të mobilizojë kapitalin e bankave private për të nxitur bujqësinë.

Vitin e ardhshëm, së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria do të vërë një fond prej 75 milionë eurosh si garanci të posaçme për bankat që do kreditojnë fermerët.

“Përmes këtij fondi prej 75 milionë euro ne synojmë që të gjenerohen 300 milionë euro kredi. Nga ana tjetër, ne jo vetëm do garantojmë kredinë, por do marrim përsipër dhe pagesën e interesave me qëllim që fermerët të kthejnë vetëm principalin”, deklaron ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Aplikimet për fondin e garancisë do t’i vlerësojë Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Por cilat janë kushtet që fermerët të përfitojnë nga kreditë e garantuara?

“Duhet të vijnë me plane biznesi dhe të investojnë në ato kultura që ne kemi përcaktuar si prioritare”, sqaron Panariti.

Kjo nuk është skema e parë e garancive financiare për sektorin privat. Shqipëria ka tentuar skema të ngjashme edhe në sektorë të tjerë, por rezultati ka qenë i diskutueshëm.

Këtë herë, qeveria është e bindur se ky program do të funksionojë. “Sepse bujqësia po funksionon edhe pa mbështetje. Ju e keni parë si po rritet prodhimi”, nënvizon Panariti.

Madje, sipas Panaritit, ende pa u miratuar skema, në ministri kanë mbërritur aplikimet e para që do të marrin financim. “Kemi 70 aplikime gati që do të marrin kredinë nga bankat, sapo të bëhet efektiv fondi”, shton Panariti.

Qeveria pret që skema të bëhet efektive që në muajt e parë të vitit, për të mbështetur zgjerimin e sektorit, i cili jep 20 për qind të prodhimit kombëtar dhe punëson gati gjysmën e popullsisë.

Top Channel