Pakistan, të paktën 22 të vdekur nga shpërthimi në ndërtesën qeveritare

29/12/2015 00:00

Një sulm ndaj një zyre qeveritare në veriperëndim të Pakistanit u ka marrë jetën të paktën 22 personave, e ka plagosur mbi 30 të tjerë.

Bilanci i viktimave e bën këtë, episodin më vdekjeprurës të dhunës në vend, që prej masakrës së dhjetorit të kaluar në Akademinë Ushtarake të Peshavarit, ku u vranë 150 nxënës dhe mësues.

Shpërthimi i fundit besohet të jetë vepër e një kamikazi dhe është marrë përsipër nga militantët talebanë.

Shënjestra e shpërthimit, që tronditi qytetin e Mardanit, ishte zyra e Autoritetit Kombëtar të Regjistrimit dhe Grumbullimit të të Dhënave.

Autori i sulmit thuhet të ketë mbërritur përpara hyrjes së ndërtesës me një motoçikletë, e sipas disa dëshmive ka hedhur veten në erë, në momentin kur është ndaluar për kontroll nga rojet e sigurisë.

Zyra në fjalë është zakonisht e tejmbushur me njerëz, që presin në radhë për të marrë kartat e identitetit. Pjesa më e madhe e të vdekurve dhe të të plagosurve, sipas BBC-së janë civilë.

Top Channel