Mashtrojnë me kombësinë në Austri, mijëra emigrantë kthehen në Slloveni

29/12/2015 00:00

Austria ka rikthyer qindra emigrantë drejt Sllovenisë gjatë 3 ditëve të fundit, për shkak se kishin gënjyer në lidhje me kombësinë e tyre, në përpjekje për të rritur mundësitë për sigurimin e të drejtës së azilit.

Lajmi u konfirmua këtë të martë nga një zëdhënës i policisë.

Që prej verës, qindra e mijëra emigrantë kanë kaluar kufirin drejt Austrisë, vendi i fundit i të ashtuquajturit “rrugëtim përmes Ballkanit” me destinacion përfundimtar Gjermaninë, vendi më i parapëlqyer nga shumica e refugjatëve. Shumë prej tyre niseshin me autobusë nga Austria, menjëherë për në kufirin me Gjermaninë.

Në pikat e kontrollit të provincës Carinthia, aty ku mbërrijnë rreth 3000 vetë në ditë, policia dhe përkthyesit vunë re një rritje të numrit të personave të paregjistruar, gjuha e të cilëve nuk përputhej aq shumë me kombësinë e “supozuar” të tyre, tha zëdhënësi i policisë.

“Kemi kuptuar se disa prej tyre janë duke shfrytëzuar situatën e rëndë, edhe pse e dinë shumë mirë se kanë shumë pak mundësi të fitojnë azil në Austri dhe Gjermani”, tha ai, duke shtuar se qindra emigrantë të tillë janë kthyer menjëherë mbrapsht në Slloveni që prej 26 dhjetorit.

Top Channel