Plani Kombëtar i Territorit, Rama: Jo më një hartë e ngrirë

29/12/2015 00:00

Gjatë një dëgjese publike për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, që do të kontribuojë në zhvillimin e Shqipërisë deri në vitin 2030, kryeministri Rama ka vlerësuar maksimalisht draftin e avancuar, siç u shpreh ai, të këtij plani. Një draft, që kryeministri i vendit tha se do të pasurohet edhe më tej, si dhe do të ballafaqohet edhe me ekspertët ndërkombëtarë, për ta bërë këtë plan sipas filozofisë bashkëkohore.

“Kemi përcaktuar në programin tonë qeverisës objektivin e hartimit të një plani të përgjithshëm kombëtar, që e di mirë se çfarë sfide e jashtëzakonshme është, e që nuk e parashikoja se do të ishim në një fazë kaq të avancuara në dy vite e pak, për të prezantuar një draft të avancuar të këtij plani. Ky është një proces që bazohet në të dhëna faktike të integruara, që ka qenë edhe problemi i parë i madh që kemi hasur, sepse kemi marrë përsipër të qeverisim një shtet joshtet dhe pa inventar, ku është dashur një punë me një pasion arkeologjik për të bërë gërmime në çdo skutë të kësaj magazine për të nxjerrë të dhëna dhe një historik të planeve, për t’i analizuar më pas. Ky është një moment i rëndësishëm, drafti është shumë i avancuar edhe pse duhet shumë punë drejt finalizimit të tij, por nëse ka një ndryshim cilësor mes këtij plani të përgjithshëm kombëtar dhe asaj çfarë është planifikuar gjatë këtyre viteve, është fakti se nuk është një hartë e ngrirë mbi të cilin të punohet në mënyrë mekanike nga kushdo që vjen në pushtet më vonë. Këto plane janë kultura të vjetra planifikimi, që nuk përdoren më në ditët e sotme, si në Gjermani, apo edhe në çdo vend europian”, deklaroi Edi Rama.

Ajo që kryeministri Rama do të theksonte me ngulm gjatë fjalimit të tij, ishte se ndryshe nga çfarë ishte planifikuar në këto 25 vite, që tregon më së miri paaftësinë për të planifikuar zhvillimin e vendit, ky plan i ri kombëtar nuk do të jetë i ngrirë. Gjë që do të thotë se kushdo që do të merret me të në vijim, nuk do të merret me zbatim mekanik të planifikimeve, por çdo detaj do të jetë subjekt i ndryshimeve të mundshme dhe të nevojshme në vijim.

“Qasja ndaj kësaj sfide me një filozofi të re bashkëkohore, duke e trajtuar territorin si një organizëm, dhe planifikimin si një proces metabolizmi të organizimit, jep një mundësi që ky plan të rimerret dhe të pasurohet në vijim nga të gjithë ata që do ta përdorin, qofshin institucione qendrore, vendore apo sipërmarrje. Progresi i rëndësishëm në territor është i mundur nëse lejojmë që çdo detaj të modifikohet edhe në të ardhmen. Plani përfundimtar do të jetë rezultat i këtij procesi konsultimesh, ashtu si dhe analizash nga ata që e kanë propozuar, duke e ballafaquar edhe me ekspertë ndërkombëtarë që kemi afruar falë ideve dhe energjive që kanë zbuluar te ne, në dëshirën e madhe për t’i dhënë më në fund Shqipërisë një plan të përgjithshëm kombëtar, që të jetë një instrument në dorën e kujtdo që ka lidhje dhe mundësi të japë kontribut në procesin e zhvillimit të vendit. Në këto 20 e kusur vite janë harxhuar parà të shumta, por po të shohim çfarë është shkruar dhe çfarë është realizuar, nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Kemi pasur 72 strategji kombëtare për ujin, por Shqipëria edhe sot nuk ka burime ujore të mirëadministruara. Nëse e krahasojmë me Izraelin, që s’ka burime, ndërkohë që Shqipëria është e dyta në Europë për pasuri ujore, nxjerr edhe njëherë kuptimin e plotë të paaftësisë dhe paditurisë kolektive të shfrytëzimit të asaj që na ka ofruar natyra”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Top Channel