Greqi, “Frontex” dërgon roje kufitare dhe anije nëpër 6 ishuj të Egjeut

29/12/2015 00:00

Agjencia europiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në kufijtë e jashtëm të BE-së, “Frontex”, njoftoi vendosjen e 293 rojeve kufitarë dhe 15 anijeve në ishujt grekë, duke iu përgjigjur një kërkese zyrtare nga Athina.

Kjo forcë përbën fazën e parë të një operacioni gjigant me emrin e koduar “Poseidon”, pas kërkesës së Greqisë për më shumë ndihmë në kufijtë e saj të jashtëm, në detin Egje.

Ky operacion ka për qëllim mbrojtjen më të mirë të këtyre kufijve të jashtëm deri më 31 mars dhe zhvillohet në 6 ishuj të vendit. Në Lesbos, që ka pranuar edhe numrin më të madh të refugjatëve, mbi 500 mijë, do të vendosen 272 oficerë; 94 në Kios; në Kos 45; në Leros 30 dhe në Samos 73.

Gjatë gjithë kohëzgjatjes së operacionit pritet të marrin pjesë 520 oficerë, ekspertë dhe përkthyes, të cilët do të kujdesen për regjistrimet, kontrollin e të gjithë atyre që hyjnë në vend, gjurmët e gishtërinjve, identifikimin e dokumenteve të falsifikuara, ndërsa do të kryejnë edhe patrullime.

Vetëm roje bregdetare do të vijnë në Greqi mbi 400 vetë nga shtete të ndryshme europiane, të cilët së bashku me një numër anijesh, automjetesh dhe aparaturash teknike do të ndihmojnë autoritetet kombëtare për të menaxhuar presionin e paparë të valës së refugjatëve në kufijtë e jashtëm të Greqisë, theksohet nëe deklaratën e “Frontex” nga qendra e agjencisë në Varshavë.

Rreth 82% e më shumë se një milion emigrantëve dhe refugjatëve, që hynë sivjet në BE; shumica e tyre nga Siria, Iraku dhe Afganistani; kanë kaluar nga Turqia për në Greqi.

Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kreu i grupit parlamentar të grupit të Partive Popullore në PE, Manfred Weber thekson se “Greqia nuk po mbron kufijtë e saj në përputhje me dispozitat e Traktatit të ‘Schengen’-it dhe për këtë arsye shkel të Drejtën Europiane”. Në rast se vendet anëtare të BE-së nuk janë në gjendje për të siguruar kufijtë e tyre të jashtëm, atëherë “Frontex” merr përsipër ruajtjen e pikave kufitare të diskutueshme.

Por, ajo që ka ngjallur reagime në mediat greke është fakti se, eurodeputeti gjerman dhe njëkohësisht zv.kryetari i Unionit Kristian-Social të Bavarisë, ripërsërit deklaratën e disa qarqeve konservatore në Europë se, nëse as “Frontex” nuk do të jetë në gjendje të sigurojë kufirin, atëherë duhet të shqyrtohet dalja e përkohshme e një vendi nga zona “Schengen”.

Top Channel