Irak, kryeministri Abadi: Në 2016-n dëbojmë ISIS-in

29/12/2015 00:00

Kryeministri irakian, Haider al Abadi, shprehu besimin se Shteti Islamik do dëbohet plotësisht nga vendi, pak pasi forcat qeveritare çliruan qytetin e Ramadit, fortesës së ISIS.

Në një fjalim televiziv, Abadi u zotua se do t’i jepnin Shtetit Islamik goditjen përfundimtare, duke rimarrë edhe kontrollin e Mosulit, qyteti i dytë më i madh në vend.

“2016-ta do të jetë viti i fitores së madhe, kur do të largojmë përfundimisht militantët e ISIS nga Iraku”, tha kryeministri. Xhihadistët pushtuan Ramadin në muajin maj, në atë që u konsiderua si një humbje turpëruese për ushtrinë irakiane.

Forcat qeveritare luftuan për disa javë për të marrë kontrollin e qytetit, rreth 90 km në perëndim të Bagdadit. Imazhet e shfaqura të hënën treguan trupat teksa ngrinin flamurin irakian mbi kompleksin qeveritar në qendër të qytetit.

Zëdhënësi i ushtrisë, gjeneral Yahya Rasul, tha se forcat kishin çliruar Ramadin në një fitore epike. Autoritetet nuk e bënë të ditur bilancin e viktimave apo dëmeve, por sipas korrespondentëve të huaj, beteja kundër ISIS-it kishte shkatërruar peisazhin urban.

Sipas tyre, lëndë shpërthyese janë të shpërndara kudo dhe trupat irakiane janë ende në kërkim të militantëve të tërhequr në pjesë të qytetit. Çlirimi i Ramadit u mirëprit nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili tha se ISIS kishte pësuar një disfatë të madhe. Kerry përgëzoi forcat irakiane për këmbënguljen dhe kurajon e treguar.

Ofensiva në Ramadi, kryeqytet i rajonit me shumics sunite ts Anbarit, u mbështet nga sulmet ajrore të koalicionit të drejtuar nga SHBA. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Cartes tha se largimi i Shtetit Islamik nga qyteti ishte një hap i rëndësishëm përpara në fushatën për mundjen e atij që e cilësoi një grup barbar.

Sipas tij, ishte e rëndësishme që qeveria irakiane të ruante paqen në Ramadi, të parandalonte kthimin e ISIS dhe të ndihmonte qytetarët të riktheheshin në shtëpitë e tyre. Edhe Sekretari britanik për Punët e Jashtme, Philip Hammond përgëzoi gjithashtu qeverinë irakiane duke shtuar se mbështetja ajrore nga forcat e koalicionit kishte qenë thelbësore në betejë.

Top Channel