Qeverisja gjatë vitit 2015, Rama flet për drejtësinë, dekriminalizimin, akuzat e opozitës…

30/12/2015 11:30

Viti 2015 pa dyshim që për kryeministrin Rama ishte një vit i suksesshëm, ndërsa theksi i pyetjeve në konferencën e fundivitit ishte çfarë do të bëhet vitin e ardhshëm.

Kreu i qeverisë përsëriti ambicjen për rritjen ekonomike 3 për qind, ndërsa dha një lajm të mirë, siç e quajti ai, në kuadër të premtimit të kësaj mazhorance për shëndetësi falas.

“Vitin e ardhshëm fillon shërbimi falas shëndetësor tek mjeku i familjes. Pra, nuk do të ketë më asnjë tarifë apo pagesë për mjekun e familjes”, deklaroi Rama.

Por pa dyshim që për këtë mazhorancë, në bindjen e shefit të qeverisë, kryefjala e reformave mbetet ajo në drejtësi, që nëse do të rezultojë e suksesshme ka vetëm një provë për të.

“Domosdoshmërisht duhet të prodhojë tërmet, një tërmet në të gjithë themelet e sistemit aktual të drejtësisë. Nëse nuk e prodhon këtë tërmet, atëherë nuk është kryefjala e duhur”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal gjatë në reformën e sistemit të kalbur dhe korruptuar, siç e quajti, sikundër ftoi opozitën të bëjnë, siç tha, kompromisin spektakolar, duke u ndalur gjatë tek mungesa e vullnetit politik të pushtetit të djeshëm për të bërë këtë reformë.

“Jam i bindur se asnjë diversion, asnjë përpjekje për të çarë shumicën në këtë proces nuk do të ketë sukses. E them këtë sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim. Reformën në drejtësi do ta bëjmë së bashku, por ne si shumicë nuk do të shkelim asnjë princip dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis për të reduktuar efektin e drejtësisë”, tha Rama.

I pyetur për akuzat ndaj ministrave për korrupsion, Edi Rama kishte një pergjigje. “Nëse do të kontrollosh sistemin e drejtësisë mbaje kështu siç është, sepse e kontrollon shumë kollaj, siç e kontrolluan ata që ishin dje. Pikërisht kjo drejtësi nuk i ndëshkon zyrtarët për krimet spektakolare që kanë kryer”, tha Rama.

Sipas tij, praktika e funksionimit të këtij gjyqësori me pushtetin ishte: “Më laj mëkatet e mia, unë laj të tuat. Ju më nxirrni të larë kur unë vras njerëz dhe unë mbyll sytë para mëkateve tuaja”.

Rama pati edhe një përgjigje për dekriminalizimin. “Nëse ju verifikoni dhe provoni si të vërtetë, të bazuar në fakte e prova, një akuzë të opozitës për secilin ministër, ministri do hiqet nga qeveria, do të shkojë në prokurori dhe kallëzuesi do të jem unë. Por ama, një akuzë të verifikuar”, tha Rama.

Ligjin e kthyer nga presidenti një ditë më parë, kryeministri garantoi se ai do të miratohet i pandryshuar sesionin e ardhshëm. Reforma zgjedhore do të bëhet duke pasur në fokus rekomandimet e OSBE-ODHIR, duke gjetur fillimisht kompromisin brenda shumicës qeverisëse.

Pyetjes së TCH për kriminalizimin e shpifjes nga politikanët, Rama u tregua i vendosur për ta çuar deri në fund, si mënyrë për t’u ndarë njëherë e mirë, tha ai, nga kultura e baltosjes dhe shpifjes.

“U bë ligji, tani të shohim, sepse ka përgjegjësi. Nuk mund të kriminalizosh ti një shoqëri të tërë, një parlament të tërë duke shkuar kancelari më kancelari. Nëse kjo nuk del e vërtetë, ka një përgjegjësi të madhe. Nëse del, do ketë një duartrokitje, të cilës edhe unë do t’i bashkohem”, tha Rama.

Top Channel