Investimet në Shkodër, Çela: Ne 20 ditë realizuam atë punë që s’u bë në 20 vjet

30/12/2015 12:45

Drejtori i OSHEE -së Ardian Çela në një inspektim të punimeve që po kryen në Shkodër është shprehur se ajo çfarë nuk u bë për 20 vite u bë për 20 ditë në Shkodër, janë 50 milonë lekë investime të kryera në këtë zonë ku janë ndërtuar 2 kabina të reja, po rikonstruktohen 8 të tjera, janë vendosur linja ABC për të gjithë zonën, me shtylla ndërsa linja 20 kv ishte shtruar 10 vjet më parë, por ishte e vdekur pasi nuk ishte vënë në punë për këtë zonë.

Janë afro 5000 banorë që tani me festat e fundvitit po gëzojnë në shtëpitë e tyre me cilësi më të mirë energjie dhe pa ndërprerje, pasi furnizimi nuk do të jetë më 6 kv, por 20 kv. Janë bërë investime në linja dhe kabina në Vermosh, Velipojë, plazhin e Rrjolit dhe Bushat .

“çfarë është bërë deri tani janë në rreth 500 mijë euro të investuara. Ne kemi parashikuar për vitin në vazhdim vetëm investimin në nënstacionin e Bushatit që kap vlerën e 6-7 milionë euro”, tha Ardian Çela, drejtor i OSHEE -së.

Ndërkohë që pritet shumë shpejt të nisë investimi në lagjen “Vasil Shanto”, në hyrje të qytetit. Kjo lagje banohet nga komuniteti rom dhe për 25 vjet është lënë në harresë që kur u ndërtuan linjat e para, dyzet vjet më parë. Ndërsa arkëtimet deri në muajin Nëntor 2015 për Rajonin e Shkodrës janë mbledhur 4.9 miliardë lekë ose rreth 76% më shumë se deri në Nëntor 2014.

Top Channel