Revolucion në pankina, të gjithë trajnerët në lëvizje

30/12/2015 00:00

Bota e futbollit duket se do të përjetojë një revolucion në pankinat e disa klubeve italiane. Gjithçka nisi me Pep Guardiolën dhe Karlo Ancelotin. Katalanasi deklaroi largimin nga Bajerni i Mynihut ku do të transferohet Ancelotti, për të shkuar me shumë mundësi në premier League te Manchester City, ku do të zëvendësojë Manuel Pelegrinin, i cili duket se është alternativa e Pocchettinos te Tottenham. 

Më pas u shfaq Zhoze Murinjo i cili u shkarkua nga drejtuesit e Chelsea-t dhe tashmë duket se është në Pole Position për të marrë drejtimin e Manchester United në vend të Louis Van Gaal, me trajnerin holandez që është drejt mbylljes së karrierës së tij. Por së fundmi për Djajtë e kuq duket se janë shfaqur edhe emrat e Diego Pablo Simeones apo Antonio Kontes me këtë të fundit që tashmë ka nisur edhe mësimet e gjuhës angleze.

Konte u fol se mund të shkojë te Arsenali, por në këtë rast mundësitë që transferimit të realizohet janë shumë të pakta duke qenë se aty ndodhet i përjetshmi Venger, i cili mund të rikonfirmohet për të disatën herë te londinezët nëse do të mund të shpallet kampion i Anglisë.

E njëjta histori edhe për Alegrin, që duket se do të mbyllë ciklin e tij te Juventus edhe në rast se ai do të fitojë titullin e serisë A për të dytin vit radhazi. Kjo e bën Juventusin të mendojë për zëvendësuesin e tij  ku emri që po përmendet së fundmi është ai i Paulo  Sozës.

Edhe Roma po mendon të gjejë një tjetër trajner për të zëvendësuar Rudi Garcian dhe alternativat për momentin janë Di Francesko dhe Luciano Spalleti te Napoli Sarri është i sigurt në vendin e tij ashtu sikurse edhe Roberto Mancini. Por për këtë të fundit mund të ndryshojnë gjërat nëse në drejtim të tij vjen ndonjë ofertë e rëndësishme nga Anglia.

Në Spanjë, Luis Enrike është i qetë pasi është i konfirmuar në pankinën e Barcelonës. Krejtësisht ndryshe ndodh te Reali i Madridit, ku Rafael Benitez nuk mundi dot të fitojë zemrat e tifozëve dhe drejtuesve të klubit. Florentino Perez po mendon të sjellë në stolin e Los Blancos, Zinedine Zidane, ndërkohë që së fundmi po flitet edhe për një rikthim të mundshëm të Murinjos. Ndërsa në Francë, te Paris Sën Zhermen, ideja që mbizotëron është rinovimi i kontratës me trajnerin  Loran Blanc

Top Channel