Vendimi i ri i qeverisë, hapësirat publike me koncesion

30/12/2015 15:30

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit një vendim që sipas qeverisë synon të mbrojë dhe mirëmbajë hapësirat publike, si dhe të krijojë hapësira të reja në shërbim të qytetarëve.

Vendimi i hap rrugë njësive të qeverisjes vendore që nuk i menaxhojnë vetë këto hapësira, të nënshkruajë marrëveshje partneriteti me privatin për menaxhimin e tyre.

Disa prej shërbimeve që mund t’i jepen privatit janë menaxhimi i parkimeve publike, apo ofrimi i shërbimeve qytetare në parqe a lulishte, si p.sh. bar, kafe apo kënde argëtimi, etj.

Për rastet kur këto hapësira shtrihen në pronë private, qeveria sqaron se njësia e qeverisjes vendore përkatëse bie fillimisht dakord me pronarin për zhvillimin e hapësirës.

Në rast të pamundësisë së këtij të fundit për ta zhvilluar, pushteti vendor ia merr këtë hapësirë kundrejt një tarife të caktuar, për t’ia dhënë një tjetër privati për ta zhvilluar.

Qeveria thotë se vlerësimi në këtë rast, sa i përket qëllimit të kryerjes me efikasitet apo kosto më të ulët të këtyre shërbimeve, i përket qeverisjes vendore.

Miratimi i këtij vendimi, sipas qeverisë, është i rëndësishëm në kushtet kur hapësirat publike në shërbim të komunitetit po tkurren gjithnjë e më shumë në favor të interesit privat.

Për këtë qëllim, vendimi parashikon ndalimin e zënies së hapësirës publike me çdo lloj objekti, perveç se me autorizim të bashkisë apo ndalimin e zënies së parqeve dhe lulishteve në masë më të madhe se 0.5% e tij.

Bashkitë po ashtu duhet të parashikojnë krijimin e hapësirave publike në planet e tyre vendore si rrugë, lulishte, trotuare apo kopshte e çerdhe dhe të rakordojnë me zhvilluesit kushtet për zbatimin e planeve dhe kalimin e që do të ndërtohen në pronësi të bashkisë përkatëse.

Top Channel