Kthimi i ligjit të pronave, PR mirëpret vendimin e Nishanit

30/12/2015 00:00

Kthimin për rishqyrtim të ligjit mbi pronat nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, e ka përshëndetur dhe mirëpritur edhe Partia Republikane, e cila e vlerëson gjithashtu vendimin e kreut të shtetit.

Ligji, i dërguar nga Qeveria dhe që ishte miratuar në Parlament, sipas PR-së është kundërshtuar me forcë nga shoqatat e pronarëve në një takim të organizuar nga vet Presidenti në muajin tetor, të zhvilluar në selinë e Presidencës. Ligji është gjithashtu në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, standardet e vendosura nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, si dhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Partia Republikane vijon më tej të theksojë se ligji nuk garanton sigurinë juridike në trajtimin e kompensimit financiar, pasi cënon parimin e barazisë ndërmjet shtetasve, duke i vendosur ata në regjime të ndryshme shpërblimi për të njëjtën lloj prone.

“Harta e vlerës që pretendohet në ligj nuk është transparente dhe nuk reflekton çmimin e tregut. Në ligj hiqet e drejta e kthimit fizik të pronës, duke cënuar të drejtën e qytetarëve të sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës”, është shprehur Maksim Begeja, anëtar i Kryesisë së PR-së

Kjo parti ka premtuar kundërshtimin e këtij ligji, në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve, edhe në instancat më të larta ndërkombëtare, si Gjykata e Strasburgut dhe Sekretariati i Komitetit të Ministrave pranë BE-së. Më tej, PR u ka bërë thirrje partive opozitare me në krye PD-në, që jo vetëm të mbështesin vendimin e Presidentit, por edhe të hartojnë një ligj, që do t’i japë zgjidhje reale problemit të pronave.

Top Channel