Banorë të Pustecit, me letërnjoftime false nga MPB në zgjedhjet maqedonase

30/12/2015 00:00

Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup ka zbuluar 424 karta identiteti, që janë falsifikuar nga zyrtarët e policisë dhe janë shfrytëzuar si në zgjedhjet lokale të vitit 2013 edhe në ato parlamentare të vitit 2014.

Skandali u publikua nga ministri i Brendshëm, i emëruar me propozim të opozitës maqedonase, Oliver Spasovski, i cili bëri të ditur se, me këto dokumente janë pajisur banorët e Pustecit të Shqipërisë, të cilët në mënyrë joligjore kanë fituar të drejtën e votës në Maqedoni.

“Të gjithë këta persona me letërnjoftime të falsifikuara ndodhen në listën zgjedhore, që do të thotë se atyre iu është dhënë mundësia që të votojnë në Maqedoni. Në vitin 2011, këta persona nuk kanë ekzistuar në listën zgjedhore, e cila nisi të mbushej në vitin 2013, ndërsa në vitin 2014 është plotësuar dhe është zgjeruar me persona të rinj nga Pusteci. Kulmi i mbushjes i listës zgjedhore me persona nga Pusteci është arritur në vitin 2015”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Falsifikimi i këtyre dokumenteve është kryer nga disa të punësuar në sektorin e punëve administrative në Ministrinë e Brendshme, të cilët e kanë pranuar veprën.

Policia do të vazhdojë të hetojë skandalin me letërnjoftimet, pasi ekzistojnë dyshime se, në shumë komuna të vendit janë shfrytëzuar dokumente të falsifikuara gjatë votimit.

Në zgjedhjet e kaluara, opozita maqedonase kishte akuzuar disa herë ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankulovska, se kishte pajisur në mënyrë të paligjshme me letërnjoftime banorët e Pustecit të Shqipërisë, për të votuar në Maqedoni për partinë VMRO-DPMNE, që drejtohet nga kryeministri Nikola Gruevski.

Top Channel