Pritje me nxënësit e dalluar, Rama: Jeni shembulli i rrugës drejt dritës, mes errësirës

30/12/2015 00:00

Në një takim me nxënësit më të dalluar të sistemit parauniversitar të Shqipërisë, kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kanë vlerësuar disa prej tyre, si dhe i kanë promovuar ata si shembujt më të mirë sesi mund të kapërcehen vështirësitë që hasin gjatë jetës së përditshme.

“Asgjë nuk është e pamundur nëse njeriu ka kurajon të shohë ëndrra të mëdha dhe vullnetin që t’i ndjekë ëndrrat e tij. Mes jush ka jo pak fëmijë familjesh të varfëra, në nevojë apo të zakonshme që përpiqen me mund të madh të sigurojnë jetesën, por ju jeni shembulli që provon se vështirësitë nuk janë arsye për t’u dorëzuar apo për t’u ndjerë të dëshpëruar, e aq më pak për të vajtuar. Ato janë një arsye më shumë për të luftuar dhe për të sprovuar veten në kapërcimin e tyre”, është shprehur kryeministri Rama.

Më tej, ai ka shtuar se “Ju jeni një shembull i madh dhe shumë i respektuar, sepse ju provoni me 10-tat tuaja, se jo vetëm është e mundur, por se është rruga më e sigurt drejt dritës dhe, në vend që të mallkosh errësirën, të ndezësh dritën e vogël për të ndriçuar rrugën drejt dritës së madhe për vet ju”. “Edukimi është pasaporta e lirisë për gjithsecilin prej jush, sa më të ditur, aq më të lirë do të jeni për të bërë zgjedhje të forta dhe për të përballuar sfida të mëdha”, deklaroi Rama.

Duke iu rikthyer vizitës së tij në Izrael të pak ditëve më parë, kryeministri solli në vëmendjen e të gjithëve sesi fuqia e zhvillimit dhe prosperitetit të një kombi gjendet gjithnjë te kapitali njerëzor, aty ku duhen fokusuar të gjitha kapacitetet. Shumë vende janë të pasura nga natyra, tha Rama, ndërsa disa vende të tjera jo, e pavarësisht kësaj, këta të fundit rezultojnë më të zhvilluar, sepse kanë ditur si të gjejnë zgjidhje përballë sfidave dhe vështirësive me të cilat janë përballur.

Mungesa e dijes dhe kapitalit njerëzor, sipas Ramës, janë ato që e kanë bërë elitën e këtij vendi të bëjë batërdi, siç e kanë bërë në gjithë këto vite tranzicioni.

Top Channel