Miratohet buxheti i Tiranës, seancë maratonë në Këshillin Bashkiak

31/12/2015 00:00

Janë dashur më shumë se 12 orë debate, replika kundërshtime e sqarime, për t’u votuar vetëm me votat e mazhorancës buxheti i vitit 2016 për Bashkinë e kryeqytetit, si dhe sistemi i taksave dhe tarifave vendore.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se buxheti për vitin 2016 llogaritet të jetë 120 milionë dollarë dhe 39% e ti do të shkojë për investime publike.

“Në vitin e ardhshëm do kemi një buxhet prej 120 milionë dollarë për kryeqytetin. 39 për qind e tij do të shkojë për shpenzime publike, 36 për shërbime operacionale dhe mirëmbajtje dhe 25 për shpenzime administrative. Krahasuar me 2014 apo 2015, buxheti i vitit 2016 do të jetë 3 herë më i lartë, që do të thotë se banorët e Tiranës do të kenë shërbime 3 herë më cilësore dhe do përfitojnë 3 herë më shumë investime. Zërin kryesor e zënë shpenzimet publike vendore me 31 për qind të buxhetit dhe menaxhimi i rrugëve me 21 për qind të buxhetit”, deklaroi Veliaj.

Një pikë delikate mbetet miratimi i taksave dhe tarifave në Bashkinë e Tiranës. Veliaj tha se ka një rritje të taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila pritet të jetë 8% e çmimit të shitjes për metër katror. “Cili është propozimi ynë? 4 deri në 8 për qind të shitjes për metër katror. Nga ky ndryshim do përjashtohen ndërtimet në sektorët e turizmit, të industrisë dhe për përdorim publik, për të cilat taksa do të mbetet në nivelin ekzistues 2 për qind. Në këto zona shkon 2 mijë euro metri katror, e çfarë kërkon bashkia? 8 për qind. 8 për qind që dje paguheshin bakshish, ndërsa sot i jepen bashkisë”, tha Veliaj.

“Gjithë ata që duhet të blejnë një apartament të ri do të kenë një taksë të tetëfishuar, pasi do të paguajnë për çmimin jo më 10 euro si më parë, por do t’i bëjnë bashkisë peshqesh 80 euro për metër katror. Kjo është taksë për ndërtuesit, por ata do ta përcjellin atë tek blerësit”, replikoi këshilltari i PD.

Top Channel