Çmimet në Maqedoni, shqiptarët blejnë matanë kufirit

31/12/2015 10:00

Festat e fund vitit kanë shtuar fluksin e qytetarëve që blejnë jashtë kufijve. Bëhet fjalë për zonat kufitare me Maqedoninë, si Peshkopia, Maqëllara Bulqiza dhe e gjithë zona e Gollobordës.

Janë të shumtë ato që për çdo ditë bëjnë rreth 20 km rrugë dhe blejnë të gjitha produktet ushqimore jashtë kufirit në Dibër të Madhe në Maqedoni.

“Vij nga Bulqiza. Vijmë sipas rasteve, vijmë për të marrë ushqime, për ndonjë gjë për Vit të Ri. Ka ndryshime çmimesh”, thotë një shqiptar nga Bulqiza.

“Kemi ardhur se çmimet janë më lirë dhe është më cilësore çdo gjë. Pazarin e bëj gjithmonë këtu”, thotë një tjetër shqiptar.

“Sasia e ardhjes së shqiptarëve të Shqipërisë në qytetin tonë është zona e Maqellarës. Arsyeja është se janë më afër Dibrës se Peshkopisë. Ndryshojnë dhe disa çmime. Për shembull çmimet bazë të vajit, të sheqerit janë më lirë te ne se në Shqipëri. Ka dhe disa artikuj të cilësisë, si mallra sllovene që janë cilësore dhe shkak është dhe nafta që është më lirë në Maqedoni. Disa vijnë mbushin makinën e marrin edhe disa ushqime”, thotë një shitës i Dibrës së Madhe.

Produktet që janë më lirë në Maqedoni janë kryesisht ato ushqimore, vajrat, nafta, produktet e mishit dhe teknika e bardhë. Banorët e këtyre anëve kanë marrë parasysh edhe siguracionet e larta rreth 400 Euro në vit, vetëm për të blerë në Maqedoni.

Top Channel