“Bukuria e tmerrshme e operacionit në tru”

31/12/2015 00:00

Karl Ove Knausgaard, shkrimtari norvegjez i biografive, pjesë e “New York Times” ka përshkruar eksperiencën e tij në Tiranë, ku ka asistuar në operacionin e rrallë në tru, ku pacienti është zgjuar.

Një rrëfim ndryshe i gazetarit, jo thjesht një raportim lajmi që është bërë në operacionin e kryer në gusht në Tiranë.

Libri i neurologut të famshëm Henry Marsh, “Do No Harm”, për të cilin autori po bën shkrim ka qënë arsyeja që solli në Tiranë shkrimtarin norvegjez dhe që ka publikuar për gazetën amerikane artikullin “Bukuria e tmerrshme e operacionit në tru” (The Terrible Beauty of Brain Surgery), një dëshmitar në sallën e operacionit ku pacienti është koshient. Në këtë operacioni Knausgaard shoqërohet nga fotografi Paolo Pellegrin i cili ka fiskur gjithçka në aparatin e tij.

Teksa nis përshkrimin që nga pamja e jashtme spitalit, autori i përshkruan veshjet e njerëzve si ato të gjyshërve të tij në vitet ’50- ’60. “ Makina ndaloi dhe ne parkuam para spitalit, një godinë funksionale betoni, me kënde të mprehta dhe plane të vështira, të cilat binin në kontrast me njerëzit jashtë, që ishin ulur apo qëndronin në dritën e dielli, me trupat e tyre të butë, të veshur me fustane me lule, apo këmisha e pantallona, pak a shumë si mënyra që visheshin gjyshërit e mi në vitet 1950-1960”, shkruan Karl.

Në rrëfimin e tij ndryshe, autori përshkruan eksperiencën e tij në sallën e operacionit, ku të pranishëm ishin neurologu i famshëm Henry Marsh dhe shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, dr. Mentor Petrela.

“Për tmerrin tim, ishte duke u zhvilluar një operacion. Heshtja ishte totale. Fokusimi i vetëm i vëmendjes ishte një kokë në mes të sallës. Pjesa e sipërme e kafkës ishte hequr, dhe anët e tjera ishin mbuluar nga garzat, të mbuluara me gjak, duke formuar një gyp në pjesën e brendshme të kafkës.Truri i butë pulsonte brenda”, vijon përshkrimin autori.

Por një prej doktorëve e fton Karl të shohë në mikroskopin që përdorej për të parë trurin. “Më dukej sikur po qëndroja në majë të një mali, duke vështruar një fushë të përshkruar nga lumenjë të gjatë. Në horizont ngriheshin malet, mes tyre disa lugina dhe një prej luginave e mbuluar nga një akullnajë e bardhe. Çdo gjë ndriçuese dhe farfuritëse. Mu duk sikur shkova në një tjetër botë, në një tjetër pjesë të universit. Një lum ishte i purpurtë, tjetri e kuqe e errët, dhe fusha që përshkonin ishte e çuditshme me ngjyra jofamiljare. Por ishte ajo akullnaja që më mbajti më gjatë shikimin. Ajo ishte si një pllajë mbi luginë, e bardhë e mprehtë, si bora e maleve në një ditë me diell. Papritur një valë e kuqe u ngrit dhe lau sipërfaqen e bardhë. Nuk kisha parë kurrë diçka kaq të bukur, dhe kur u hoqa mënjanë për ti lënë vend doktorit, për një moment sytë e mi shkëlqenin nga lotët”, përshkruan momentin e operimit të parë me sytë e tij shkrimtari Knausgaard.

Përshkrimi i autorit është mjaft mbreslënës, që kulmon pikërisht me përshkrimin e një operacioni që nuk e kishim parë ndonjëherë në këtë formë.

Top Channel