Kryeministri ynë- Kavie, por jo në dorë të gazetarëve

31/12/2015 00:00

Ilir Yzeiri- Pamja që paraqiti Edi Rama në takimin e fundvitit me gazetarët ishte për të qarë e për të qeshur. Ai, duke luajtur rolin e viktimës, në një moment e quajti veten kavie në duart e gazetarëve që, sipas tij, po e masakrojnë me kritika.

Pastaj tha se nuk i lexon gazetarët, por ia thonë sejmenët që punojnë rrotull tij ose zyra e shtypit, siç quhet sot. Për të treguar se ai kritikat nuk i përfill, sepse ato nuk po arrijnë të zbulojnë veprat e mëdha të Kryeministrit, por po e sakatojnë atë, ai tha se e ndien veten si një kavie, pra si një kafshëz e gjorë mbi trupin e të cilit apo së cilës bëhen eksperimente nga mjekë apo shkencëtarë që sakrifikojnë kafshëzat e gjora që të ndihmojnë njerëzit.

Po a është vërtet Edi Rama kavie në duart e gazetarëve apo kavie në duart e korrupsionit dhe kastave kriminale në Shqipëri? Ta shohim.

Semantika e politikanit star

Tani po bëhet rutinë e mërzitshme që Kryeministri, në takimet e fundvitit me gazetarët, bën si garip duke shitur mendtë që nuk i ka dhe pret ditët e fundit të vitit që të shprehë, sipas mënyrës së personazheve të dramave të realizmit socialist, ngadhënjimin mbi shtypin dhe sfidën që ai i bën duke mos e lexuar. Imitimi i shëmtuar i takimeve të presidentëve amerikanë që organizojnë mbrëmje gala me artistë të mëdhenj dhe me gazetarë të shquar është një shfaqje delirante dhe katundareske e pashoq. Jo vetëm pse atje janë yjet e artit e të kinemasë që janë model për të gjithë botën, por sepse Presidenti amerikan shkon atje kokulur dhe pa asnjë kompleks. Në radhë të parë ai tallet me vetveten dhe asimetria që krijohet mes figurës së njeriut më të fuqishëm të botës me personazhin e lehtë që vetironizohet në sy të të ftuarve, krijon me të vërtetë efekt. Kjo është një traditë e gjatë në historinë e presidentëve amerikanë. Në teoritë e komunikimit politik, ky rast studiohet më vete në kapituj të veçantë, sepse amerikanët ishin të parët që e spektakolarizuan garën presidenciale dhe i dhanë tiparet e paraqitjes sipas modelit të starëve të kinemasë apo të rokut. Imazhi, gruaja e presidentit, familja dhe jeta intime u paraqitën në publik dhe iu dhanë atij si një shfaqje, në mënyrë që ai ta vlerësojë njeriun më të rëndësishëm të vendit me të njëjtat emocione që vlerëson një artist dhe kështu betejat politike kthehen në spektakle dhe në shou, në mënyrë që të shmanget ligjërimi i zi dhe i egër ose në rastin më të mirë, ai lloj ligjërimi të mbytet në atmosferën e lehtë të spektaklit. Deri vonë ky model nuk kishte përfshirë Europën dhe po të kujtojmë garën presidenciale në Francë, fjala vjen, deri te Shirak, gratë e presidentëve nuk ishin pjesë e konkurrimit politik. Madje, ndaj familjes mbahej një qëndrim tejet konservator. Të gjithë përmendin rastin e Miteranit, fjala vjen, një marrëdhënie jashtëmartesore e të cilit u mbajt e fshehtë për vite e vite me radhe. Ishte Presidenti Sarkozi ai që futi dhe në Francë stilin amerikan të konkurrimit politik, duke e bërë pjesë të spektaklit politik edhe familjen e tij. Ndërsa Berluskoni në Itali i kaloi të gjitha kufijtë dhe jeta e tij personale kaloi në rrëfime vulgare dhe u bë telenovela e një publiku të gjerë për shumë kohë. Por kjo është një histori tjetër. Edi Rama është një artist mediokër, por në politikë të gjithë patëm shpresë se do të sillte një klimë dhe një frymë tjetër. Personalisht dyshova në fillim, sidomos pas darkës së ngjalave në gjirin e Lalëzit, por më pas ideja se bashkimi me Metën shmangte të keqen më të madhe të këtij vendi, Berishën, më bindi se ndoshta kjo ishte rruga më e drejtë dhe pastaj në politikë koalicionet lëvizin dhe ndryshojnë. Do të kishte qenë më e ndershme që Edi Rama të ishte tërhequr nga bashkëqeverisja me Metën dhe të kishte deleguar ndonjë prej atyre që brenda PS-së e kishin shpallur me kohë nevojën e koalicionit me Metën, por ai, me intuitën e shtetarit hileqar shqiptar, u ngjit në majë të shtetit për të na treguar të gjithëve se nuk është gjë tjetër, por vetëm djali ilegjitim i Berishës lindur në Tiranë dhe rritur në oborrin e Bllokut.

Pse nuk është kavie e gazetarëve Edi Rama

Ky vit do të mbahet mend nga të gjithë që Edi Rama e humbi përfundimisht mbështetjen e opinionit publik. Zërat më seriozë dhe më autoritarë të shtypit shqiptar e kanë qortuar atë dhe i kanë vënë në dukje se ai, jo vetëm që nuk është kavie në duart e gazetarëve, por nëse vazhdon kështu do të bëhet përfundimisht kavie e mafies dhe e oligarkisë së pasunarëve të korruptuar në këtë vend. Edi Rama është akuzuar nga shtypi shqiptar si Kryeministri që e përsosi sistemin e korrupsionit në këtë vend. Ai u lidh me klientët e vjetër të Berishës dhe me miqtë e tij dhe nuk po bën gjë tjetër, por po i shpenzon paratë publike në shërbime që kryhen nga biznesmenë që nuk kanë asnjë lidhje me tenderët që fitojnë. Agjencia prestigjioze e lajmeve dhe investigimit BIRN, ka publikuar në disa numra radhazi skandalet e deformimeve të parave të buxhetit të shtetit në klientë të qeverisë. Edi Rama po mbyll vitin e dytë të qeverisjes dhe nuk ka një platformë të qartë ekonomike. Paraqiti një sistem taksash që e ndërroi disa herë aq sa u bë qesharak. Analistët kanë shtruar të shqetësuar pyetjen se si ka mundësi që formalizimi i ekonomisë nuk solli rritjen e të ardhurave. Edi Rama u justifikua se rënia e të ardhurave ka ndodhur pse shqiptarët kanë lënë duhanin dhe çmimi i karburanteve është ulur. Edi Rama mori edhe një shuplakë tjetër tani në fund nga komisioneri i Këshillit të Europës për zgjedhjet vendore, i cili deklaroi se ato ishin një dështim. Edi Rama, siç vënë në dukje një pjesë e madhe e analistëve seriozë të shtypit, ndryshon nga Berisha dhe Basha se nuk ka vrarë njerëz në bulevard. Kjo është e vërtetë, Edi Rama nuk ka vrarë, por ai ka varrosur përfundimisht shpresën se ky vend mund të bëhet. Arrogant dhe mediokër ai ka bllokuar RTSH-në publike dhe nuk do t’ia dijë se miliarda lekë të shqiptarëve digjen për një transmetues banal. Me papunësinë në shifra rekord, pa asnjë strategji ekonomike, me një ministër Ekonomie që del në TV dhe reciton tekste banale me investitorë që do të vijnë e do të bëjnë mrekulli në këtë vend, Edi Rama me të vërtetë është bërë si një kavie, është bërë për të ardhur keq, sepse ai tashmë është dorëzuar në duart e mafies dhe të korrupsionit. Por ai ka fatin e budallait, sepse përballë ka një opozitë që nuk do të vijë në pushtet, ka një forcë politike që e ka ndërtuar aksionin politik mbi refuzimin e përgjegjësive reale që të ndërtohet e të bëhet ky vend. Opozitës së sotme dhe Berishës e Bashës iu intereson opozita, në mënyrë që të pastrojnë krimet dhe paratë e pista që kanë grumbulluar në këta vjet ata dhe shumë prej të tjerëve në atë forcë politike. Duke u bërë të padurueshëm në publik, duke artikuluar gjithmonë marrëzira, ata janë të qetë se ashtu nuk do të vijnë kurrë në pushtet, por do të kenë autoritetin e atij që shan gjithë ditën dhe bën sikur nxehet me qeverisjen e keqe.

Përfundim

Ky vit po ikën dhe shqiptarët u ndien edhe një vit më të pashpresë, u ndien edhe një vit më të lodhur dhe megjithëse ata vetë nuk duan, janë të detyruar ta pranojnë se po dështojnë që të ndërtojnë shtetin e tyre. Drejtësinë e shkatërruar po presin t’ua rregullojë një ambasador, ekonominë një ish-drejtor dogane i rekrutuar nga Fatos Nano, kulturën një femër që jep çmime për Vrimën e pambyllur të erërave të ndotura që vijnë nga kundërmimi i një vendi që po degradon në ekonomi, kulturë e në gjithçka. Në gjithë këtë atmosferë, Kryeministri ynë ndihet si një kavie, por jo si një shtetar që reagon ndaj sëmundjes që i ka rënë atij dhe që po infekton vendin.

Top Channel