2015 në optikën e klikimeve në faqen e Top Channel

31/12/2015 00:00

Ndërsa kalendari i vitit 2015 mbërriti në faqen e fundit, gjithkush ndalet dhe bën një bilanc të asaj që po lëmë pas. Në fakt, viti 2015 ka qenë një vit i mbushur me shumë ngjarje, të cilat në këto kohë moderne përcillen me shpejtësi marramendëse nëpërmjet mjeteve të komunikimit, ku sigurisht interneti është lehtësia më madhe për t’i përcjellë ato.

Sulmet terroriste dhe rrugëtimi biblik i refugjatëve nga Lindja e Mesme kanë qenë si një refren i kronologjisë përgjatë 365 ditëve të vitit 2015; nisur nga sulmet në redaksinë satirike të Charlie Hebdo në muajin janar, e deri tek terrori që Franca përjetoi në fillim të nëntorit, si edhe seriali i vrasjeve makabre të përditshme të stiluara nga të ashtëquajturit ushtarët e Shtetit Islamik; nga trupi i pajetë i 3-vjeçarit Aylan në brigjet e Turqisë, i kthyer në simbol të shpërnguljes masive të sirianëve nga toka e tyre, te mijëra të tjerë që janë shënjuar për çdo ditë në brigjet jugore të Evropës.

Bota ka zhurmuar nga një krizë e përgjithshme ekonomike, luftëra reale dhe ato që mbeten në tantativë mes nivelesh të larta interesash të superfuqive, por padyshim edhe nga momente të bukura e të gëzueshme.

Shumë ngjarje e zhvillime kemi përjetuar edhe në vendin tonë. Si një vit zgjedhor (Lokale 2015) politika e ka tejngopur “tregun e lajmeve” me zhvillimet e saj. Fjalët kyçe në leksikun politik shqiptar në vitin 2015 kanë qenë dekriminalizimi dhe reforma, mbas të cilave padyshim klasa politike është munduar të fshehë nivelin e saj të ulët. Taksa, varfëri, punë, tatime, burg, ekonomia, ministra, aksident, kupona e shumë fjalë të tjera mund të lexohen shpesh mes titujsh e rreshtash të lajmeve dhe informacioneve që janë lexuar e dëgjuar për vitin 2015.

Por padyshim ajo që ka mbizotëruar mbi të tjerat është kombëtarja, që ne gjeografinë e lajmeve dhe informacioneve të vitit 2015 ka zënë më shumë terren. Nga lajmi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, te kualifikimi në finalet e Euro 2016, ka patur shumë emocione, festime, krenari për të gjithë shqiptarët.

Top Channel nëpërmjet faqes zyrtare të internetit, një nga më të ndjekurat në vendet shqipfolëse, me mbi 1.1 milionë ndjekës në Facebook, ka sjellë në kohë reale të gjitha këto zhvillime, me shumë korrektësi dhe saktësi, për të gjithë ndjekësit e saj.

Duke bërë një përpunim të të dhënave në bazë të klikimeve në faqen e internetit, Departamenti i Komunikimit Elektronik në Top Channel ka bërë një klasifikim të lajmeve që janë lexuar më shumë përgjatë këtij viti.

Kështu, në kategorinë Politikë, duke qenë se ka qenë vit zgjedhor, lajmi që është klikuar më shumë nga ndjekësit e faqes së Top Channel ka qenë ai i rezultatit final të zgjedhjeve lokale. Pas tij, më të klikuar janë lajmet e kërkesës së PD për dorëheqje të Krytarit të Kuvendit, si edhe publikimi i videos nga depueti Tom Doshi.

Në kategorinë e lajmeve të aktualitetit lajmi që ka patur më shumë klikime ka qenë ai i kërcënimit të ISIS-it për shqiptarët. Në radhë pas tij vijnë ndarja në mënyrë të papritur nga jeta e ish-drejtorit të INSTAT-it Gjergj Filipi, si edhe arrestimi i ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.

Edhe pse është pak specifike, kategoria ekonomi ka patur shumë klikime dhe lajmi që është lexuar më shumë është ai komandimit të zv/ministres Beqiraj në krye të doganave.

Kategoria e sportit është padyshim më e klikuara në faqen Top Channel dhe lajmi për reagimin e mediave të Beogradit për humbjen që pësoi Shqipëria me Serbinë është lajmi që ka tërhequr më shumë lexues. Rrefimi i Ballist Morinës si ngriti dronin në Beograd në tetor të vitit 2014 është lajmi i dytë më i klikuar, ndërsa në vendin e tretë renditet lajmi për vendimin Gjykatës së Abitrazhit Sportiv, që i dha Shqipërisë 3 pikët për ndeshjen me Serbinë.

Shumë klikime kanë marrë edhe lajmet nga Kosova dhe Rajoni, ku në vendin e parë qëndrojnë padyshim lajmi për riaktivizimin e radarëve serbë, rrëfimi i ish-komandantit serb për krimet në Kosovë, vrasja e kampionit Valdet Gashi në Siri, si edhe reportazhi i rrugëtimit nga Serbia drejt Hungarisë i refugjatëve sirianë.

Të preferuara janë edhe lajmet e showbiz dhe lifestyle, të cilat tërheqin grupmoshat e reja. Numrin më të madh të klikimeve e ka marrë lajmi për këngën e radhës përshëndetëse të Top Channel për vitin e ri, “Dritën fal”. Shumë klikime ka marrë edhe lajmi për imitimet që Portokallia i ka bërë drejtoreshës së Tatimeve, si edhe video satirike me politikanen Grida Duma.

Akoma edhe më të mëdha këto klikime kanë qenë nëpërmjet rrjeteve sociale, ku në faqen zyrtare të Top Channel në Facebook, me mbi 1 milionë 125 mijë ndjekës, lajmet të përcjella minutë pas minute kanë patur shumë klikime, “like” dhe komente nga të gjithë ndjekësit e kësaj faqeje.

Top Channel